Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë në Volos të Greqisë, ku një 50-vjeçar vrau me armë kunatin e tij 33-vjeçar. Fatmir Talellaru vrau Erjon Pelivanin pasi zbuloi se ky i fundit kishte përdhunuar vajzën e tij prej 9 vitesh.
Vajza, e cila tashmë është 18 vjeçe, mësohet se është abuzuar seksualisht nga vëllai i njerkës brenda shtëpisë së saj.
Ndërkohë avokati i 50-vjeçarit ka zbuluar se Pelivani kishte akses të hynte i lirë në shtëpinë e motrës së tij. Ai ka zbuluar se përdhunimet kanë ndodhur brenda banesës në momentin që në shtëpi ndodhej edhe vëllai i vogël i vajzës, i cili në atë kohë ishte 4-vjeç.
33-vjeçari hynte i lirë në banesë kur Fatmir Talellari dhe gruaja e tij nuk ishin në shtëpi.
“Padyshim i ka pritur derisa kanë ikur nga shtëpia”, tha avokati.
Ndërkohë sipas dëshmisë së vajzës, ajo është abuzuar seksualisht që nga mosha 9-vjeçare dhe kur i duheshin para, i dërgonte video intime për ta shantazhuar.
Gjithashtu thuhet se vajza u ka treguar motrave të saj se ngacmohej seksualisht, por jo se ishte e përdhunuar dhe pa përmendur emrin e personit.
“Babai në orët e mëngjesit të së hënës i ka takuar për të sqaruar se çfarë po bëhej me paratë e qirasë. Pas një bisede me vajzën e tij, ajo e informoi për përdhunimet dhe shantazhet, por nuk e tregoi identitetin e personit.
Ata erdhën në zyrën time të hënën në mëngjes për të diskutuar se si të zgjidhnin problemin. Domethënë po bëheshim gati të ngrinin një padi duke pritur që vajza të na tregonte se kush ishte personi. Por të martën, 50-vjeçari zbuloi emrin e përdhunuesit në mëngjes pas presionit të vazhdueshëm ndaj vajzës së tij”.
Sipas avokatit të 50-vjeçarit, vajza kishte në dispozicion videot me të cilat 33-vjeçari e shantazhonte, por nuk ia tregonte babait të saj.
“I tregoi vetëm sms-të që vërtetonin çfarë po thoshte”, tha avokati, duke shtuar: “Që nga mëngjesi i së martës kur ai e mori vesh, deri në pasditen e së martës nuk kishim asnjë kontakt. Pas ngjarjes ai ishte në gjendje të rënduar psikologjike, më tregoi se çfarë ndodhi dhe unë e këshillova që të informonte autoritetet dhe të dorëzohej tek autoritetet”.