Site icon

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për fondet e partive aleate të Bashës

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot kërkesën e aleatëve të Partisë Demokratike për ndarjen e fondeve pas zgjedhjeve. Në vendimin e marrë ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se kërkesa e bërë nga: Partia Republikane e Shqipërisë (PR), Partia Agrare Ambientaliste (PA), Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), nuk shkel asnjë cënim të barazisë para ligjit.

Në padinë e depozituar, kërkueset pretendojnë se norma për ndarjen e buxhetit krijon situatë pabarazie të subjekteve zgjedhore, sepse i trajton ndryshe vetëm duke u bazuar në faktin e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje si subjekt më vete apo si pjesë e një koalicioni.

“Shpërndarja e financimit duhet të bëhet duke llogaritur çdo votë, në këtë kuptim dispozita cenon shanset e barabarta të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe i jep shtetit mundësinë të favorizojë ato që garojnë më vete,”-pretendonin aleatët në padinë e depozituar.

Në vendimin e marrë nga “Kushtetuesja”, sqarohet se ligjvënësi e ka lidhur shpërndarjen e këtyre fondeve me rezultatin e zgjedhjeve dhe numrin e mandateve përfaqësuese në Kuvend, sepse vetëm në këtë mënyrë reflektohet pozicioni real i një partie politike.

“Ky është një kriter i mjaftueshëm për t’i ndarë partitë politike në ato që kanë një domethënie reale për veprimtarinë politike në vend, bazuar në vullnetin e votuesve që ato përfaqësojnë, dhe në ato që nuk arrijnë të përfaqësojnë një pjesë domethënëse të zgjedhësve, pasi rezultojnë të pasuksesshme në zgjedhje. Ky parashikim ka si qëllim të kufizojë ekzistencën e subjekteve që marrin pjesë në zgjedhje, kryesisht për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit, por që nuk kanë peshë reale në jetën politike të vendit dhe mbështetje domethënëse nga zgjedhësit,”-shkruhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

Exit mobile version