Site icon

Golemi, perla e mbeturinave, turistët vijnë për diellin dhe ikin për plehrat

Sezoni turistik ka mbërritur me vrull, por Bashkia e Kavajës duket se është kapur në gjumë veror. Në vend që të përgatitej për pritjen e pushuesve, institucioni vendor është vetëshpallur “turist” në menaxhimin e qytetit. Rezultati? Një Kavajë e pushtuar nga plehrat, një panoramë që fton më shumë mizat sesa turistët.

Koshat janë tejmbushur prej ditësh, plehrat derdhen në rrugë e trotuare, dhe aroma e rëndë ka zëvendësuar erën e detit. Zona të tëra urbane dhe bregdetare janë kthyer në vende grumbullimi mbetjesh, ndërsa shërbimet e pastrimit ose nuk duken fare, ose kalojnë si kometa një herë në javë.

Për ironi të fatit, kjo ndodh në një qytet që pretendon të jetë destinacion turistik. Asnjë plan emergjent, asnjë strategji menaxhimi, vetëm justifikime dhe heshtje nga ana e bashkisë, e cila, në vend që të përballojë fluksin turistik, duket se ka kapitulluar përballë thasëve me plehra.

Qytetarët janë të indinjuar, bizneset po dëmtohen dhe pushuesit largohen më shpejt se ç’kanë ardhur. Imazhi i një qyteti me potencial është zëvendësuar nga realiteti i një bashkie të paaftë, që nuk arrin të përballojë as mbeturinat e përditshme, e jo më të menaxhojë sfidat e sezonit veror.

Turizmi në Kavajë s’po vuan nga mungesa e bukurive natyrore  por nga mungesa e më të rëndësishmes: menaxhimit bazë. Në vend të ftesave për të vizituar bregdetin, Bashkia e Kavajës mund të vendosë tabela të sinqerta: Mirë se vini në qytetin e plehrave të pamenaxhuara. Këtu pushon turizmi  jo ju.

Exit mobile version