Maksim Debrova, i cili humbi jetën gjatë punës në rikonstruksionin e një pallati në Milot, rezulton se ishte invalid shurdhmemec dhe punonte në të zezë. Gjithçka është zbuluar nga veprimet hetimore të kryera pas aksidentit me pasojë vdekjen që ndodhi të mërkurën në Milot.
Debrova, 34 vjeç, me origjinë nga Elbasani, babai i 3 fëmijëve, ishte marrë në punë nga një nënkontraktor që punonte për llogari të kompanisë “Eral Construction”, që po rikonstrukton pallatet në zonën e Kurbinit, në kuadër të programit të rindërtimit nga tërmeti.
Pas aksidentit në punë, Policia arrestoi inxhinierin e kompanisë, 55-vjeçarin Mondi Turhani, për shkelje të rregullave të sigurisë në punë, por 48 orë më vonë ai u la i lirë me kërkese të prokurorit Arben Nika, i cili kërkoi në Gjykatë që 55-vjeçari të hetohet me masën e sigurisë detyrim paraqitje. Në lidhje me rastin kanë nisur hetimet edhe nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
Nga verifikimet e kryera në kantierin e ndërtimit ka rezultuar se punonjësi Maksim Debrova u aksidentua për vdekje në punë, për shkak të mungesës së rregullave të mbrojtjes në punë. Sipas ISHP, punëtori invalid punonte në të zezë dhe nuk ishte regjistruar në asnjë subjekt, ndërsa bëhet me dije se pas përfundimit të veprimeve do të veprohet konform ligjit ndaj punëdhënësit që e kishte punësuar në të zezë.
Ndërsa familjaret e 34-vjeçarit invalid që kishte dalë në punë për bukën e gojës kërkojnë drejtësi në lidhje me rastin.
“Ikte në orën 06:00 të mëngjesit, vinte në 6 të darkës, e merrnin me makinë dhe e sillnin me makinë. Unë dua drejtësi, kompania të përgjigjet, unë kam 3 fëmijë, burri ishte invalid, nuk ikte vetë, nuk vinte vetë, ai nuk fliste dhe nuk dëgjonte, për shembull nuk i kuptonte, ‘ik këtu, ik atje’, shkonte ku ta merrnin. E merrte ai person në telefon i thoshte ‘nesër ke punë, këtë javë nuk kemi’, paguhej 20 mijë lekë se nuk na dilnin me 100 lekë që merr fëmija”, thotë gruaja e viktimës, Ergeta Debrova.
Banorët e zonës kërkojnë që institucionet të ushtrojnë kontrolle për kushtet e punës.
“Këto aksidente ndodhin për arsye se sipërmarrësit kanë afat për të mbaruar detyrën e punimeve. Punëtorët janë të pakënaqur se nuk i paguajnë ashtu siç është. Në këto kushte gjejnë punëtorë të ndryshme rrugëve, nuk duan t’ia dinë a është invalid, por vetëm sesi të kryejnë punën”, thotë një banor i Milotit.
Maksim Debrova gjeti vdekjen e menjëhershme, pasi gjatë punës ra nga tarraca e pallatit 4- katësh në Milot.

