Site icon

Lojë fjalësh Kurti-Lajçak, kryeministri i Kosovës: Nuk mund të barazohet fjala ‘komunitet’ me ‘Asociacion’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, flitet për arritjen e një niveli “adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” e jo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kurti u përgjigj kështu për gazetarët kur u pyet të komentonte deklaratën e të dërguarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili në një intervistë  tha se neni 7 i Marrëveshjes, nuk përfshin zotime të reja për Kosovën, por nënkupton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kurti tha se fjala “Komunitet” nuk mund të barazohet me fjalët “Komuna” apo “Asociacion”. “Në pikën 7 të Marrëveshjes Bazë thuhet një ‘nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb’. Thuhet komunitetit serb, e jo komunave. Komuniteti nuk është kategori territoriale. Komunat janë njësi territoriale dhe administrative, por nuk është e njëjta gjë. Unë e kuptoj që s’janë krejtësisht të ndryshme, të pa lidhura, por nuk janë e njëjta gjë. E kam thënë edhe në Kuvend se nga këndvështrimi im, jo ??vetëm politik, por edhe juridik, kur themi komuniteti serb, nënkuptojmë automatikisht marrëveshjen kornizë për mbrojtjen e pakicave në kuadër të konventës së Këshillit të Evropës”, tha Kurti. Ai theksoi se nuk e mohon që kanë lidhur dy marrëveshje, por shtoi se të dyja janë shkelur në të kaluarën. Nga ana tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pohon se Serbia tashmë e ka shkelur marrëveshjen dhe nuk kanë kaluar as 24 orë nga marrëveshja në Ohër . “Serbia ka treguar se dialogu nuk ka vlerë politike apo juridike për të”, tha Osmani duke komentuar deklaratën e Vuçiç se nuk do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Exit mobile version