Një incident është regjistruar në GJKKO. Mësohet se kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule është goditur me vezë nga dy persona.
Ngjarja ka ndodhur teksa ai hynte në GJKKO, ku do të merrte pjesë në seancën për Fredi Belerin.
Ishin dy persona ata që qëlluan Dulen, i cili nuk reagoi për incidentin, ndërsa hyri në ambientet e GJKKO-së.
Në Gjykatën e Apelit të Posaçëm është shtyrë sërish seanca për Fredi Belerin, i cili kërkon leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë paraqitja e përfaqësuesit ligjor të Burgjeve pa prokurë të posaçme.
Beleri apeloi vendimin e shkallës së parë, që e rrëzoi kërkesën e tij. GJKKO ka rrëzuar edhe kërkesën e Belerit për masë më të lehtë sigurie se ajo arrest me burg.Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin. Kjo çështje është bërë temë kryesore edhe në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.