Site icon

Politikani serb: Kosova e pavarur, ky do të jetë “çmimi” që do të paguajë Beogradi për të formuar Asociacionin

Kryetari i Forumit Kombëtar Serb, Momçilo Trajkoviç ka thënë se plani “franko-gjerman” njeh Kosovën si shtet të pavarur. Ditën e djeshe politikani serb në programin “Slobodno Srpski”, u shpreh se pala serbe me pranimin e Planit Evropian dhe Aneksin Zbatues për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njeh de fakto dhe de jure pavarësinë e Kosovës. “Serbët më në fund e dëgjuan të vërtetën. Vetëm nëse duan ta kuptojnë, pavarësisht se është komunikuar ashtu siç e ka komunikuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kosova ngadalë por me siguri po shkon drejt një shteti të pavarur”, tha ai. Trajkoviç theksoi se “çmimi” që do ta paguaj pala serbe nëse themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të jetë Kosova e pavarur, ndërsa shtoi se me planin evropian përfundimisht rrumbullakohet shtetësia e Kosovës njëherë e mirë. “Ajo do të ketë një rol për popullin serb që mbetet këtu. Ajo do të rregullojë marrëdhëniet. Serbët do të marrin autonomi, do të pyeten për diçka, nuk do të vendoset vetëm nga shumica shqiptare dhe mbikëqyrja e bashkësisë ndërkombëtare. Por duhet ta themi hapur. Çmimi i kësaj është shteti i pavarur i Kosovës”, pohoi Trajkoviç. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se edhe presidenti serb edhe kryeministri Albin Kurti, po manipulojnë qytetarët me interpretimet që po ia bëjnë ujdisë së arritur fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, pastaj në Ohër më 18 mars. “Ai (Vuçiç) po mashtron popullin, ai e braktisi politikën që ua premtoi popullit kur u mbajtën zgjedhjet. Të njëjtën gjë bëri edhe Kurti. Dhe tani kemi dy, le të themi, ‘mashtrues’ politikë që po përpiqen të mashtrojnë popullin për të treguar një lloj kompromisi, kur në fakt ata as nuk dinë dhe as nuk mund të arrijnë një kompromis”.

Exit mobile version