Site icon

Puna për fotografimin me cilësi të lartë të objekteve vazhdon në Muzeun e Artit Mesjetar

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. MKAM bën me dije se këtë kohë po punohet për fotografimin e objekteve. “Çdo ditë vazhdon puna për fotografimin me cilësi të lartë të objekteve të muzeut”, thuhet në faqen e MKAM në Facebook. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 prill 1980. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shekullit XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shekullit XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj. ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016-ën, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”.  Mënyra e ekspozimit të ikonave vjen në një frymë bashkëkohore me një rend kronologjik të zhvillimit të mjeshtërisë ikonografike në Shqipëri. Muzeu në Korçë herë pas here bën me dije dhe punën që bëhet për restaurimin e ikonave. Disa ditë më parë MKAM bëri me dije punën që është bërë në ikonën “Kryeëngjëlli Mikael”. Një vepër e shek. XIV, që iu nënshtrua ndërhyrjes nga specialistët e Laboratorit të Restaurimit dhe Konservimit, pranë MKAM. Pas një ekzaminimi të hollësishëm u krye konsolidimi i shtresës së grundit në disa pjesë të pikturës. Specialistët u kujdesën që ta fotografojnë atë me cilësi maksimale dhe në teknikën e RTI, duke kryer kështu edhe procesin e dokumentimit të kësaj vepre të rrallë.

Kalaja Trekëndore, një planimetri në formën e një trekëndëshi

 Kalaja Trekëndore ndodhet në bregun jugor të Kanalit të Vivarit dhe njihet me këtë emër nga planimetria në formën e një trekëndëshi. Parku kombëtar i Butrintit shkruan në faqen e tij se në të tri këndet e saj janë ndërtuar kulla në formë rrethore, ku ajo jugperëndimore ruhet në lartësinë e plotë.  “Fazës së parë të ndërtimit (shek.13- të – 14-të) i përkasin vetëm muret e kalasë, gjurmët e disa ndërtimeve të brendshme si dhe frengjitë me mbulesë pllakash në formë çatie. Në një fazë të dytë u ndërtua kulla dykatëshe jugperëndimore. Ndërkohë që dy kullat e tjera që për nga teknika e ndërtimit, forma dhe arkitektura e brendshme janë të njëjta, i përkasin një periudhe të tretë ndërtimi. Periudhës së katërt të ndërtimit (shek.17-të – 18-të) i përkasin ambientet e brendshme”, thuhet për kalanë.

QSPA: Italo Sarro autor i disa veprave kushtuar Shqipërisë

Në Bibliotekën Kombëtare Kozenca, në sallën “Giorgio Leone” do të zhvillohet në datën 30 mars prezantimi i librit “Li Poveri Nobili Coronei” me autor Italo Sarro. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) shkruan se prof. Italo Sarro është ndër studiuesit më të rëndësishëm bashkëkohorë në fushën e historiografisë. “Ai është autor i disa veprave kushtuar Shqipërisë, ku gjurmon historinë e gjuhës dhe vendbanimeve arbëreshe, edhe kur ata vetë janë integruar gjatë shekujve me popullsinë Italiane”, thuhet nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, që herë pas here në faqen e saj bën me dije aktivitetet që kanë lidhje me arbëreshët. QSPA është institucioni kërkimor shkencor për diasporën shqiptare.

Gentian Koçi vlerësohet regjisori më i mirë në “Bergamo Film Meeting”

Gentian Koçi u vlerësua me çmimin e regjisorit më të mirë në edicionin e 41-të të festivalit “Bergamo Film Meeting” me filmin “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”.  Lajmi bëhet me dije nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. “I urojmë regjisorit Koçi suksese të mëtejshme!”, thuhet nga QKK. “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja” është një dramë emocionuese, e vendosur në Tiranë. Filmat e regjisorit Gentian Koçi kanë marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare të filmit, ku nuk kanë munguar dhe vlerësimet më parë. Kujtojmë, që filmi i tij “Dita zë fill” pati premierën në festivalin e Sarajevës, ku fitoi “Zemrën e Sarajevës” për aktoren më të mirë protagoniste, Ornela Kapetani.

Exit mobile version