Site icon

Turizmi shqiptar, dikur shpresa për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për tërheqjen e investimeve të huaja, sot po kthehet në një skenë të heshtur të operacioneve të krimit të organizuar.

Burime nga terreni dhe investigime të pavarura tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e resorteve, hoteleve dhe vilave luksoze që po ndërtohen në bregdetin shqiptar nga Velipoja në Ksamil  financohen me para të pista, që burojnë kryesisht nga trafiku i drogës dhe aktivitetet e paligjshme.

Strukturat e krimit të organizuar, të lidhura shpesh me individë me influencë politike dhe zyrtarë lokalë, përdorin turizmin si një “lavatriçe perfekte” për pastrimin e parave. Investimet bëhen përmes kompanive guackë, nën emra të të tretëve, apo përmes formave të ndërlikuara të pronësisë që i shmangen kontrollit të autoriteteve tatimore dhe ligjore.

Ekspertët paralajmërojnë se tolerimi i këtij fenomeni jo vetëm që shkatërron konkurrencën e ndershme, por po e kompromenton imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik i sigurt dhe i besueshëm për investitorët e ligjshëm. Më keq akoma, pushtimi i sektorit të turizmit nga krimi rrezikon të kthejë Shqipërinë në një “narco-resort” ballkanik, ku vilat dhe jahtet nuk janë më thjesht atraksione, por fasada për aktivitet të strukturuar kriminal.

Qytetarët dhe operatorët turistikë të ndershëm kërkojnë ndërhyrje urgjente të shtetit, hetim të thelluar të burimeve të financimit, si dhe pastrim të sektorit nga influencat kriminale. Por ndërkohë që institucionet heshtin, çdo ditë ngrihen resorte të reja me emra të huaj, por me para që vijnë nga parcelat e hashashit apo rrugët e kokainës.

Exit mobile version