Site icon

Afrimi i bujshëm i Interit zgjedh numrin në fanellë, nderon legjendën e… Romës: Nuk i kam marrë leje

Interi zyrtarizoi pak ditë më parë blerjen e Davide Fratezit nga Sasuolo, një transferim për të cilin do të paguajë në total 33 milionë euro (përfshirë edhe kartonin e Samuele Mulatierit, që vlerësohet 7 milionë euro) plus 3 milionë euro bonuse.

Mesfushori, që ka firmosur një kontratë 5-vjeçare, gjatë së cilës do të fitojë 2.8 milionë euro në sezon, ka bërë të ditur gjatë fundjavës edhe numrin e fanellës që do të mbajë dhe ashtu si ishte parashikuar, në shpatullat e 23- vjeçarit do të jetë numri 16, të njëjtin që ka mbajtur te Sasuolo. Vendimin për numrin, ashtu si disa detaje të tjera nga jeta e tij, lojtari më i ri i Interit i ka treguar në një intervistë për “Calciatori Panini”.

FRIKËRAT DHE PASIONET – “I kam tmerr avionët. Nuk fle kur mendoj që duhet të marr avionin dhe ankthi i ndeshjeve nuk është asgjë në krahasim me atë për fluturimin. Kur kam qenë i vogël merresha me not dhe tenis, sporte që më kanë ndihmuar për të koordinuar veten dhe për t’u disiplinuar. Kam pasur dy ëndrra: të bëhesha futbollist dhe tenist. Zgjodha atë që kisha më shumë pasion edhe nëse nuk ishte një zgjedhje e lehtë, sepse luaja futboll tri herë në javë dhe dy herë tenis”.

KRITIKAT – “Si i menaxhoj? Nuk mund t’i kënaqësh të gjithë. Kritika është pjesë e lojës. Nuk më intereson nëse ka njerëz që kanë diçka të keqe për të thënë, pastaj është çështje karakteri. Ka nga ata që inatosen dhe ndihen keq për ketë, por pas një kohe mësohesh, këto janë gjëra të zakonshme. Fatmirësisht këtë sezon shënova, sepse një vit më parë talleshin me mua”

IDHUJT – “Kam një mit si karakteristikë dhe është Barela të cilin e respektoj shumë edhe pse është ende i ri. Pastaj kam admiruar gjithmonë Kristiano Ronaldon, përkushtimin dhe dedikimin e tij për punën. Kam pasur kontakte me disa nga emrat më të rëndësishëm të kombëtares, flas shpesh me Markizion që më jep këshilla e me të cilin ndajmë edhe frikën e avionit”. NUMRI – “A kanë domethënie 7 dhe 16? 16 po, është për shkak të Daniele de Rosit. Nuk e kam pasur asnjëherë rastin t’i kërkoj ‘leje’ për të mbajtur numrin e tij, por ai e di që e kam zgjedhur për shkak të tij”.

Exit mobile version