Interi mposhti Juventusin mbrëmjen e sotme me rezultatin 1-0 duke u kualifikuar në finalen e Kupës së Italisë. Kjo ishte hera e parë ne historinë e këtij kompeticioni që zikaltrit ia dilnin mbanë ndaj “Zonjës së Vjetër” në fazën gjysmëfinale. Në lidhje me këtë duel foli edhe trajneri Inzagi, që në prononcimin e dhënë për mikrofonin e “Mediaset” u shpreh:
“Mbrëmje e mrekullueshme, ishte një finale e merituar për ne në këto dy ndeshje. Donim të ktheheshim në Romë dhe do të kthehemi. Kemi 10 ndeshje përpara, le të shpresojmë që të kemi një tjetër finale dhe të luajmë me këtë ritëm, por dihet që nuk është e lehtë.
Djemtë ishin në lartësinë e duhur, nuk humbëm asnjë metër ndaj një ekipi cilësor si Juventusi. Përjetuam ndjesi të shkëlqyera. Açerbi po na jep një dorë të madhe së bashku me shokët e repartit dhe po bëjnë një ecuri të shkëlqyer.
Barela dhe Lautaro janë shumë të rëndësishëm, me cilësi fizike dhe teknike. E rëndësishme është që tani mund t’i kemi të gjithë lojtarët përveç Shkriniarit.
U përshëndeta me Alegrin, ka shumë respekt mes nesh. Ai më komplimentoi që kalova në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”, deklaroi Inzagi.

