Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar aktori i njohur Alfred Trebicka, i cili rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim të rrallë për jetën e tij.
Gjatë karrierës së tij të gjatë dhe të suksesshme Alfred Trebcka ka punuar me emra të mëdhenj të kinematografisë shqiptare.
Teksa në program u shfaq një fotografi me Kadri Roshin, Trebicka tha, “Është unik, i papërsëritshëm, një simbol i aktrimit dhe i shkollës së Teatrit. Në punën time si profesor në universitet gjithmonë i jam referuar qoftë për pjesën interpretative, por edhe për pjesën e mësimeve dhe metodikave që ai i ka lënë duke qenë se ka qenë edhe pedagog”.
Ndërkohë për aktorin Robert Ndrenika, ai tha se ata prej rreth 20 vitesh janë gjitonë, “Është i jashtëzakonshëm. Një aktor që i luan të gjitha zhanret. Është modeli brilant se si duhet të jetë një aktor”.
Alfred Trebicka tha se miqësia për të është shumë e rëndësishme dhe atij personalisht i ka pëlqyer që në çdo projekt që ka marrë pjesë të krijojë marrëdhënie shumë të mira me kolegët.