Site icon

Argjentina, kampione bote mes çmendurisë/ Mesi dhe Mbape nota 10! Ja si vlerësohen futbollistët e dy kombëtareve

U desh një finale e çmendur që t’i vinte fundi pritjes 36-vjeçare të Argjentinës për t’u shpallur kampione bote. Ashtu siç parashikohej, finalja mes saj e Francës kaloi nga këmbët e Mesit e Mbapesë, por pavarësisht 120 minutave dramatike në të cilat u shënuan nga tre gola për secilën, “Gjelat” u rrëzuan te penalltitë, në të cilat Leo me shokë ishin të pagabueshëm.
MARTINEZ 8 – Spektator pa pagesë deri në minutën e 78-të. Penalltinë e Mbapesë thuajse e ndal, por nuk mund të bëjë asgjë për goditjet breshëri të tij. Pritja ama ndaj Kolo Muanit në minutën e fundit dhe ajo gjatë penalltive ndaj Komanit, vlejnë për historinë.

MOLINA 6.5 – Me Mbapenë në zonën e tij, detyra kryesore është ta mbajë larg dhe e bën mirë. Jo gjithmonë preciz në daljen para dhe në krosime, por puna në mbrojtje është shumë e mirë (nga 91′ Montiel 7 – Shkakton penalltinë për 3-3, shënon vendimtaren. E kompensoi).
ROMERO 6.5 – Në dyshe me Otamendin, përballë një skuadre të përbërë nga Grizman, Zhiru, Mbape dhe Dembele, nuk lejon të kalojë asnjë gjilpërë, të paktën deri në të 78′-ën. Dy golat e francezëve nisin rënien e tij.

OTAMENDI 6 – Një paraqitje e shkëlqyer e “Gjeneralit” deri në atë faull ndaj Kolo Muanit që hap ndeshjen praktikisht të përfunduar. Dikujt me eksperiencën e tij nuk i falet.

TALJAFIKO 6.5 – Detyroi Deshmapin të zëvendësonte Dembelenë që në minutën e 41-të. Të gjitha duelet e fituara e justifikuan Skalonin që e zgjodhi si titullar (nga 120′ Dibala 6 – Hyn të ekzekutojë penalltinë dhe bën detyrën duke vendosur firmën e tij në këtë triumf).

DE POL 7 – Gabon shumë pak pasime, di të luajë mes rreshtave dhe kur ka topin, francezët janë pothuajse gjithmonë të detyruar ta ndalin me faull. Një Botëror ku ka qenë pikë referimi për Argjentinën (nga 102′ Paredes 6 – E jep kontributin e tij duke shënuar penalltinë).

ENZO FERNANDEZ 7 – Në zemër të lojës, ai minon ato pak aksione të francezëve. Edhe një herë tjetër fantastike performanca e një lojtari që shumë shpejt ka për të qenë një plusvalencë e rëndësishme për Benfikën.

MEK ALISTER 8 – Një nga pikat e kthesës së Skalonit që me këtë prezantim nuk do të luajë edhe për shumë kohë te Brajtoni. I lejon Di Marias të ndryshojë ofensivën, i jep një dorë Taljafikos dhe jep edhe asistin për golin e dytë (nga 116′ Pecela – pa notë).

MESI 10 – Historia e lojtarit më të madh të epokës bashkëkohore ka një fund të lumtur. Kampioni i botës në ndeshjen e tij të fundit në një Botëror me një sërë rekordesh që e ndjekin. Një edicion monstruoz, dy gola në finale, një penallti gjakftohtë dhe me shumë personalitet, e përfolur si pika e tij e dobët.

ALVAREZ 8 – 22 vjeç dhe nuk kemi parë asgjë akoma. Nuk është vetëm një finalizues, por edhe pika qendrore e manovrës sulmuese. Ishte i destinuar të ishte sulmuesi i së ardhmes, u shfaq që në të tashmen (nga 103′ Lautaro 6 – Bën shumë gabime, por në të njëjtën kohë ringjall lojën sulmuese të Argjentinës).

DI MARIA 9 – Një nga elementët kryesorë të “La Skalonetës”. Vendos gjithçka në fushë: përvojë, dëshirë për hakmarrje dhe cilësi teknike dhe merr një penallti e shënon një gol. Konfirmohet njeriu i finaleve (nga 64′ Akunja 6 – Vuan më shumë se kurdo në krahun e majtë).

TRAJNERI SKALONI 10 – Kupa e Botës pas asaj të Amerikës e shenjtëron. Humbja kundër Arabisë Saudite rezultoi thelbësore për drejtimin që mori turneu. Mësoi nga gabimet e tij, shfrytëzoi çdo burim të mundshëm dhe nuk i la shumë shanse Francës. Nuk rrezikon asgjë deri në minutën e 78′-të, por pastaj Argjentina e tij, edhe pse me fat, tregohet shumë e fortë mendërisht.

NOTAT E FRANCËS

LORIS 7 – Mesin nuk e ndal dot kushdo, por kapiteni u mundua. Ndaj Di Marias i nevojitej një mrekulli, teksa në kohët shtesë bën gjithçka për të mbajtur ekipin me shpresën e penalltive ku tradhtohet nga shokët.

KUNDE 5,5 – I rëndësishëm si i tretë në prapavijë, ndërsa shfaqet deficitar kur i duhet të shtyjë. Di Maria i shkakton “qark të shkurtër” nga i cili s’e merr veten deri në fund. (Nga 121′ Disasi – pa notë).

VARANE 6 – Mundohet të mbështesë mesfushë pavarësisht vështirësive me Mesin dhe Alavarezin që nuk i japin pika referimi. Për një kohë të gjatë pa busull e merr veten në minutat kur Mbape vendos të rikthejë ekuilibrat.

UPAMEKANO 6,5 – Mesi bëri çfarë i donte qejfi e të paktë ishin ata që mund ta ndalnin mbrëmë. Në kohën shtesë shfaqet heroik duke frenuar dy herë Lautaron.

HERNANDEZ 5 – I mbingarkuar me trysni nuk bën asgjë si duhet me Argjentinën që gjen golin e dytë pikërisht në territoret e tij. (Nga 71′ Kamavinga 6,5 – Futja e tij gjallëron korsinë dhe ekipin. Nuk bën asnjë zgjedhje të gabuar duke konfirmuar se zgjedhja e Hernandezit nuk ishte e duhura.)

TÇUAMENI 5 – Regjia e Francës punon me drita fikur prej tij. Zgjedhje të gabuara, ngathtësi nga e cila përfitojnë rivalët. Përmirësohet vetëm pas futjes së Kamavingës, por penalltia që humb u pret krahët shokëve.

RABIO 5.5 – Argjentinasit e fusin në mes dhe mesfushori trulloset pa dhënë asgjë nga ato që priteshin prej tij. Një ndërhyrje shpëtimtare ndaj Mesit dhe asgjë më shumë. (Nga 95′ Fofana 6 – Futet për t’i dhënë pak më shumë fuqi motorit francez dhe pa dyshim bën më shumë se Rabio.)

GRIZMAN 4,5 – Nga më të mirët e të tijve në këtë Botëror, i ashtuquajtur “Sekreti i Francës” rezulton fiasko e madhe e finales. Nuk bën asgjë dhe mbase qëndroi në fushë më shumë sesa e meritonte. (Nga 71′ Koman 6,5 – Nuk ishte në formën më të mirë, por rezulton një xhol për përmbysjen franceze. Gjallëron skuadrën, e cila qëndron në lojë për merita të tij. Penalltitë janë lotari. I justifikuar!

DEMBELE 3 – Gafa e tij i vendos tapetin e kuq fitores argjentinase. Nuk e merr veten që kur shkakton penalltinë dhe për mediat e vendit të tij do të jetë për pak kohë “kurbani”. (Nga 41′ Kolo Muani 6,5 – Bën gjithçka në mënyrë të përsosur, duke fituar një penallti, duke shënuar një vendimtare, por njolla mbetet te rasti i humbur në sekondat e fundit.)

ZHIRU 5 – I mpirë nga “kafshimet” e Romeros dhe Otamendit, dhuron minutat më të shëmtuara të Botërorit të tij. Me portën argjentinase si mirazh, trajneri i kursen minutat në fushë. (Nga 41′ Turam 5,5 – Mundohet shumë dhe ia del vetëm që të bëjë më mirë se kolegu që zëvendësoi, por kjo ishte pjesa më e lehtë.)

MBAPE 10 – Argjentina bën ndeshjen, ndërsa ai mundohet ta vendosë. Mban të tijtë në garë me ftohtësi dhe klas, por “Kali i Trojës” janë penalltitë ku ai nuk ka më në dorë asgjë përveç ekzekutimit personal.

TRAJNERI DESHAMP 6 – Një Francë ai ajo titullare kishim kohë që nuk e kishim parë, por trajneri meriton një rritje note për shkak se gjen zëvendësimet dhe formulën për të shkundur ekipin. Mbrëmja ama i përket Mesit dhe trajneri francez nuk e ndryshon dot.

Exit mobile version