NATO kritikon Rusinë, për atë që e quajti “retorikë e rrezikshme bërthamore”, pasi presidenti Putin njoftoi planbet për të stacionuar armë taktike nukleare në Bjellorusi.
“Retorika bërthamore e Rusisë është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme. NATO është vigjilent dhe po monitoron me kujdes situatën. Por për momentin nuk kemi parë ndonjë ndryshim në pozicionimin bërthamor të Rusisë, që do ta detyronte të ndryshonim edhe pozicionimin tonë,” deklaroi Oana Lungescu, zëdhënëse e NATO-s.Putin e lidhi planin e tij, me stacionimin e armëve amerikane në Europë, duke thënë se Rusia nuk do të shkelë angazhimet bërthamore.
Por, zëdhënësja e aleancës ushtarake, i cilësoi pretendimet si shumë larg realitetit. Referimi i Rusisë ndaj shpërndarjes bërthamore të NATO është totalisht çorientues.
“Aleatët veprojnë në respekt të plotë ndaj angazhimeve ndërkombëtare. Rusia i ka shkelur vazhdimisht zotimet për kontrollin e armëve bërthamore.”
Sakaq, shefi i sigurisë Ukrainase Oleksiy Danilov, deklaroi se plani i Moskës do të destabilizonte Bjellorusinë, e cila siç tha, ishte marrë peng nga Rusia.
Lituania kërkoi që të vendosen sanksione të reja kundër Moskës dhe Minskut, ndërsa shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell i bëri thirrje Bjellorusisë të mos pranojë armët ruse, dukë paralajmëruar me masa të tjera ndëshkimore.