Që prej vitit 2019, Artur Metani mban postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një funksion që sipas Kushtetutës është kyç për pastrimin, monitorimin dhe ndëshkimin e devijimeve në sistemin gjyqësor.
Por, në realitet, institucioni që ai drejton më shumë i ngjan një godine bosh me dritat ndezur, sesa një hallkë funksionale të drejtësisë së re.
ILD është kthyer në një zyrë formale që ekziston vetëm në faqet zyrtare dhe në raportet e dekoruara ndërkombëtare.
Qytetarët nuk kanë parë asnjë hetim serioz ndaj gjyqtarëve abuzivë, prokurorëve të korruptuar apo vendimeve skandaloze që janë kthyer në plagë të hapura për shoqërinë shqiptare.
Rrallëherë dëgjon që ndonjë gjyqtar i korruptuar të jetë hetuar nga ILD. E akoma më rrallë që një hetim i tillë të çojë në masa ndëshkuese.
Në një vend ku drejtësia ka nevojë për kirurgji të thellë, Artur Metani duket se ka zgjedhur të merret me analiza gjaku.
Ndërkohë që gjykatat mbajnë në fuqi vendime absurde, e kur qytetarët shkojnë të kërkojnë të drejtën e tyre e gjejnë derën e mbyllur, ILD hesht. Dhe heshtja e këtij institucioni është bërë më e rëndë se padrejtësia vetë.
Kritikat janë të shumta, nga shoqëria civile, nga juristët, nga qytetarët. Por askush nuk di të thotë me siguri se çfarë bën konkretisht ILD. As sa hetime ka nisur me iniciativë të vetë institucionit. As sa rekomandime janë dhënë që kanë prodhuar pasoja reale.
Artur Metani, një figurë që u paraqit si produkt i reformës në drejtësi, po drejton një institucion që për ironi, duket më shumë si produkt i një skenari fiktiv sesa i një vullneti të vërtetë për ndryshim. Dhe ndërkohë që drejtësia mbetet e korruptuar dhe e njëanshme, ILD duket se funksionon vetëm për të ruajtur status quo-në.
Në Shqipërinë ku zëri i institucioneve kushtetuese po zëvendësohet nga propaganda e PR-it qeveritar, ILD mbetet shembulli më i qartë i një institucioni që ekziston për të mos ekzistuar.

