Interi ka mposhtur me rezultatin 4-0, Viktoria Plzenin, duke siguruar matematikisht kualifikimin për në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampioneve. Simone Inzagi nuk ishte në pankinë pas skualifikimit ndaj Barcelonës, por i është bashkuar menjëherë festës së skuadrës së tij për kualifikimin dhe më pas ka treguar edhe përjetimet e para për mikrofonat e “Amazon Prime Video”.
“Pas shortit ne e dinim çfarë na priste, por shpresonim shumë që t’ia dilnim të kualifikoheshim dhe shkuam përtej pritshmërive. Është e gjitha meritë e lojtarëve të mi, i duartrokas fort ata”, e nisi trajneri që foli edhe për rritjen e dukshme të Interit.
“Jam shumë i lumtur me paraqitjen që bëri skuadra dhe mbi të gjitha me përmbushjen e objektivit të parë sezonal që ishte kualifikimi në fazën e 1/8-ave. E dinim që për këtë duhet të bënim diçka speciale dhe jemi rritur ndeshje pas ndeshjeje. Ishin ato dy ndeshje ndaj Barcelonës që na kanë rritur vetëvlerësimin dhe jemi shumë të kënaqur për vete dhe për tifozët tanë. Çalhanoglu para mbrojtjes? Është një lojtar që ka shumë cilësi dhe sasi dhe e kisha provuar pak herë edhe një vit më parë. Po rritet edhe ai ndeshje pas ndeshjeje, por nuk harroj as Asllanin, që po na jep një dorë të madhe. kemi nevojë për të gjithë dhe pas Lukakut pres edhe Brozoviçin”, përfundoi Inzagi.

