Simone Inzagi shkon i qetë në ndeshjen e fundit në grup në Ligën e Kampioneve, pasi e di që përballja me Bajern Mynih nuk do të ndikojë kualifikimin e siguruar nga Inter për në turin tjetër të turneut. Tekniku i zikaltërve ka folur para mediave për sfidën ndaj bavarezëve, duke përmendur edhe emrin e Kristjan Asllanit, i cili në një periudhë me kalendarin e ngjeshur, mund të fitojë hapësira më të mëdha në ekip.
Meqë Interi përballet me Juventusin në fundjavë dhe ndërsa po vuan një seri dëmtimesh, Inzagi është pyetur nëse tani është momenti i duhur që Asllani të kthehet përsëri titullar për të harruar plotësisht episodin ndaj Barcelonës ku humbi një rast të pabesueshëm në shtesë.
“Përtej atij episodi që tani është hedhur pas krahëve, Asllani po rritet shumë dhe po më vendos në vështirësi. Çalhanollu po bën mirë si regjisor, nesër do të vlerësoj nëse mund të jetë ndeshja e duhur për Asllanin si regjisor apo më përpara në rreshtim”, theksoi Inzagi, duke lënë të hapur mundësinë e aktivizimit të lojtarit shqiptar në këtë duel.