Mançester Siti-Bajern Mynih u cilësua që pas njohjes me shortin si finalja e parakohshme në Ligën e Kampionëve. Edhe pse jo pak komponentë kanë ndryshuar prej asaj periudhe, aty ku largimi i Nagelsmanit mbizotëroi, sërish statistikat e fazave të grupeve dhe duelit në raundin me eliminim direkt kanë lënë gjurmë të pakundërshtueshme.
Analiza ka si qëllim evidentimin e kategorive të ndryshme, e përkthyer me mesatare dhe nxjerrjen e konkluzioneve përgjatë rrugëtimit nga të dyja kampet deri në këtë etapë të Champions-it.
PORTA- Ederson e ka nxjerrë sferën nga kuadrati vetëm në 2 raste si pritës, e njëjta kuotë shfaqet edhe në katërkëndëshin e bavarezëve. Ndryshimi është fakti se Bajerni ka hasur pengesa më të forta, duke filluar me grupin e ferrit e për të vazhduar me “favoritët në letër”, PSG-ën. Gjithashtu rasti i rrjetave të paprekura është i njëjtë (2).
MBROJTJA- Gjigantët nga Mynihu gëzojnë më tepër stabilitet me kuartetin Dejvis-Upamkeno-De Ligt-Pavar. Rekordmenët gjermanë i kanë bllokuar tentativat e kundërshtarëve në 12 raste, kundrejt dyfishit nga rivali. “Muri” i anglezëve është treguar më i matur në ndërhyrje, e thënë ndryshe 5 kartonë të verdhë, 0 të kuq dhe asnjë penallti e shkaktuar.
“Armata” e Tuhelit, jo vetëm që është “zverdhur” më tepër me kartonë, por edhe është ndëshkuar me të kuq në një rast (Pavar). Interesante prezantohet pjesa që po personazhi në fjalë mbetet i vetmi lojtar nga të dyja grupet që ka finalizuar pas zëvendësimit.
MESFUSHA- Tekniku spanjoll duket se e ka gjetur çelësin e suksesit në prodhimin e rasteve të bollshme në kuadratin mik. 4-shja e preferuar e Pep, Grilish-De BryjneGyndoan-Mahrez, kanë goditur dhe shërbyer së bashku me pjesën tjetër në 41 tentativa.
SULMI- Kryefjala është pa diskutim Halandi. Norvegjezi në hapësirën e analizës e ka gjetur golin në 8 raste (17 konkretizime gjithsej të ekipit), mesatarisht çdo 24 minuta e 6 sekonda finalizon. “Pykave” rivale u nevojiten “dylbi” për t’i parë e krahasuar me sulmuesin norvegjez.
Miqtë nga Mynihu e nisin vrullshëm takimin, aty ku 70% e golave i kanë realizuar në pjesën e parë, ndërsa Siti vjen me numër mbresëlënës në pozicion jashtë loje, vetëm 2 raste, thuajse perfekt në aksione.

