Shqipëria U-18 e basketbollit të femrave e ka mbyllur në vend të dytë Divizionin C të Kampionatin Europian, aktivitet që uli dje siparin në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”. Ndonëse dhanë gjithçka në këtë kompeticion për të bërë të tyrin trofeun, vajzat kuqezi të trajneres Elona Hasanaj, rrëshqitën në hapin e tyre të fundit, për tu mundur nga Malta në finale me rezultatin 56- 47.
Finalja e djeshme ishte tepër e luftuar, me maltezet që e bënë diferencën në periodën e katërt, duke u shpallur kampione të Divizionit C. Një ndeshje që për 30 minuta ishte thuajse e barabartë, me Maltën që fitoi 10-9 periodën e parë, më tej me çerekun e dytë që u mbyll 10- 10, ndërsa fraksioni i tretë shkoi në favor të Shqipërisë 18-20. Kështu, kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi, vajzat kuqezi kryesonin minimalisht 36-37. Por në periodën e katërt lojtaret e Maltës u treguan më të freskëta dhe më të sakta poshtë tabele, për ta fituar bindshëm këtë fraksion 20-10, duke triumfuar në shifra të përgjithshme me 9 pikë avantazh. Danika Galea e maltezeve, me 18 pikë e 10 ribaunde ishte lojtarja MVP e finales.
Për Shqipërinë spikatën Brikena Mucenji me 17 pikë dhe Anisa Bokrina me 11. Në fund u mbajt edhe ceremonia e medaljeve për ti lënë vend festës së adoleshenteve malteze. Ndërkohë Shqipëria, përveç medaljeve të argjendta të nënkampioneve, mund ti gëzohet edhe organizimit mjaft të mirë të aktivitetit të radhës së FIBA-s. Ndërkohë dje u zhvillua edhe finalja e vogël për vendin e tretë, ku Armenia mundi Andorrën me rezultatin 81-66. Ndërsa për klasifikimin final për vendet 5-7, Qipro mposhti Kosovën në shifrat 85-54. Më përfundimin e Divizonin C për vajza, Shqipëria mbyll kështu konkurrimet europiane në basketbollin e moshave, aty ku u përfaqësua me 5 Kombëtare.
MALTË – SHQIPËRI 56-47
MALTË: L.Fenech (6), A.Fenech (12), M.Fenech (3), Galea (18), Saliba (3)/ Sciberras (3), S.Fenech (11).
Trajner: Giovanni Gebbia
SHQIPËRIA: Bokrina (11), Danaj (3), Hykaj (3), Mucenji (17), Musaja (5)/ Haxhiu (4), Jorgollari (2), Beqaj (2).
Trajnere: Elona Hasanaj
GJYQTARË: I.Radinovic (Mali i Zi), M.Ignatiou (Qipro), I.Esteve Malmierca (Andorra)
KOMISIONER: Mark Patton