Reali i Madridit dhe Karim Benzema kanë vendosur që sulmuesi francez të qëndrojë në Madrid dhe të mos jetë me ekipin në Marok për gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve. Me shumë gjasa ai do t’i bashkohet skuadrës në Marok vetëm nëse madrilenët arrijnë në finalen e së shtunës.Benzema po stërvitet i veçuar për shkak të një dëmtimi. Për mënyrën e tij të të punuarit dhe për gjendjen e tij aktuale ka folur përgatitësi personal i sulmuesit, Havier Atalaja, gjatë një interviste për “Radio Marca”.
“Jemi të qetë me Benzemanë, sepse dëmtimi i fundit nuk ishte i rëndë. Ai po përmirësohet çdo ditë e më shumë. Ai është një kafshë pune. Kur është në shtëpi dhe nuk ka se me çfarë të merret vjen në palestër dhe stërvitet. Ai ka vetëm një mision: të përmirësohet çdo ditë”, tha ai.
Havier Atalaja ka bërë dhe një krahasim mes Benzemasë dhe Kristiano Ronaldos, duke qenë se ai ka qenë dhe përgatitësi personal i portugezit kur ai ishte pjesë e Madridit.
“Të dy ata janë lojtarë të shkëlqyer dhe punëtorë të palodhur. Por di të them se stërvitja që bën Benzema nuk ka arritur ta bëjë as Kristiano Ronaldo”, ka saktësuar ai.
Atalaja gjithashtu ka kritikuar dhe trajnerin e kombëtares franceze, Deshamp, për zgjedhjen e bërë për të lënë jashtë skuadre të Karim Benzemasë.
“Mendoj se te Franca janë ngatërruar disi me Benzemanë. Duhet të ishin treguar më të duruar me të”, ka thënë përgatitësi personal i tij.