Site icon

Bota i thotë “jo” luftës në Ukrainë/ Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dënon aneksimin e Rusisë! Vendet që i dolën në krah Putinit

Bota i ka thënë jo luftës në Ukrainë. Në OKB, 143 vende kanë votuar rezolutën që dënon sulmin rus ndaj Ukrainës, të filluar në shkurtin e këtij viti, dhe veçanërisht vendimin e Moskës për të aneksuar provincat ukrainase ku u zhvilluan referendumet,  Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson.

Ndërkohë, votimi tregoi qartë edhe vendet e pakta, por jo pa peshë, që mbështesin ose të paktën nuk i kanë kthyer shpinën Moskës.

Ishin 35 vende që abstenuan, duke përfshirë këtu Kinën, Indinë dhe Afrikën e Jugut, ndërkohë që vetëm 4 vende votuan kundër, Bjellorusia tashmë aleat zyrtar i Kremlinit, Koreja e Veriut, Siria që mbahet me ndihmën e trupave ruse dhe Nikaragua.

Rezoluta i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos njohë asnjë nga pretendimet e aneksimit të Rusisë dhe kërkon “zhbërjen e menjëhershme të saj”. Rezoluta mirëpret dhe “shpreh mbështetje të fortë” për përpjekjet për të de-përshkallëzuar konfliktin përmes negociatave.

Javën e kaluar, në një ceremoni madhështore në Kremlin, Presidenti Vladimir Putin nënshkroi dokumentin për t’i bërë rajonet lindore të Ukrainës Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson pjesë të Rusisë.

Exit mobile version