Fikajo Tomori dhe Isamel Benaser do të jenë në dispozicion të Stefano Piolit për ndeshjen kundër Totenhemit. Mbrojtësi dhe mesfushori kaluan të gjithë seancën me ekipin dhe do të konsiderohen të rikuperuar për ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave në “San Siro”.Rikthimi i tyre në grup pritej dhe vetë Pioli kishte thënë pas Torinos se donte t’i rikuperonte, por mbetet një lajm i mirë për Milanin.
Sidoqoftë, vështirë t’i shohim në fushë që nga minuta e parë në mbrëmjen e së martës dhe prezenca e tyre në fushë pritet në lojë e sipër.
Në pritje të kthimit të Menjasë, rikuperimi i dyshes në fjalë do të thotë kthim në dispozicion dy pjesëve të tjera të shtyllës kurrizore të ekipit kuqezi.
Mbrojtësi anglez kishte pësuar një lëndim në ijën e majtë gjatë ndeshjes kundër Lacios më 24 janar, ndërsa mesfushori algjerian ishte detyruar të ndalonte për shkak të një problemi muskulor në fillim të këtij muaji.
Me rikuperimin e Ibrahimoviçit, Milani tani është i përqendruar te Florenci (i cili punoi me ekipin në 30 minutat e para të stërvitjes) dhe Menja.
Qëllimi është që ata të kthehen në fillim të marsit, ndërsa Serzhinjo Dest mund të kthehet kundër Monzës duke pasur parasysh se ashtu si Ibra edhe amerikani nuk është përfshirë në listën e UEFA-s për Ligën e Kampioneve.

