Site icon

Çelsi kërkon të gjejë shpëtim te Champions-i, Poter: Duam çerekfinalet

Liga e Kampionëve vjen si një kamerdare shpëtimi për Çelsin, i cili në Premier Ligë është duke kaluar momentin më të vështirë të sezonit.Blutë e Londrës e shohin me dylbi zonën Champions dhe mënyra me e sigurt për të shkuar atje edhe sezonin e ardhshëm është një triumf në Europë. Por sot nuk do të ketë një pengesë të lehtë, ndërsa skuadra e Graham Poterit viziton Borusian e Dortmundit.

“Ambiciet tona janë që të kualifikohemi në çerekfinale, por e dimë se do të përballemi me një kundërshtar me histori të shkëlqyer dhe cilësi gjithashtu. Ndeshja e parë në këtë stadium do të ketë një atmosferë fantastike dhe ne duhet të jemi rivalizues. Do të provojmë që të marrim një rezultat pozitiv për ta pasur më të lehtë në ‘Stamford Bridge’ dhe pastaj të bëjmë një ndeshje speciale atje”, tha trajneri anglez në konferencën për shtyp.

Ai konfirmoi se Fofana, Zakaria dhe Kovaçiç janë rikthyer dhe janë pjesë e skuadrës së sotme: “Janë të gjithë në skuadër dhe kjo është gjë e mirë. Ne po i afrohemi momentit që ata do të kenë minuta në këmbë dhe sfida për ne do të jetë që t’i ndihmojmë që të gjejnë sa më shpejt formën më të mirë”.

Poter vlerësoi edhe rivalin që do të ketë përballë, Edin Terziç: “Karriera e tij nuk më surprizon, sepse përshtypja e parë ishte shumë pozitive. Ai ka gjithçka ti do nga një trajner dhe ka akumuluar eksperiencë në shumë role. Dortmundi është një skuadër shumë e organizuar, e cila sulmon mirë dhe luan futboll të bukur. Sigurisht që ne duam t’ua bëjmë të vështirë”.

Exit mobile version