Site icon

Çfarë ndodhi në të vërtetë me Nika Shahkarami? Dëshmitarët e orëve të saj të fundit hedhin dyshime mbi historinë që tronditi Iranin

Një vajzë iraniane e veshur me të zeza qëndronte mbi një kosh plehrash të përmbysur, duke tundur shaminë në flakë, mes thirrjeve “vdekje diktatorit”.

Një moment më vonë, siç tregojnë videot, ajo merr një shami tjetër, nga një mikeshë, të cilës i vë flakën gjithashtu para protestuesve.

Vajza ishte 16-vjeçarja Nika Shahkarami, nga Teherani. Pak orë pasi këto skena u regjistruan më 20 shtator, në videot e siguruara dhe verifikuara ekskluzivisht nga CNN, Nika u zhduk. Dhe më shumë se një javë më vonë, familja e saj mësoi se ajo kishte vdekur.

Autoritetet iraniane pretenduan se trupi i Nikës u gjet në oborrin e një godine mëngjesin e 21 shtatorit.

Nënës së saj nuk iu dha mundësia për ta identifikuar trupin e të bijës deri 8 ditë më vonë. Pamjet nga kamerat e sigurisë të lëshuara nga autoritetet me orën që tregonte kohën pas mesnate, më 21 shtator, tregonin pamjen e një personi të maskuar që ata thanë se ishte Nika duke hyrë në një ndërtesë që ishte e pabanuar dhe ende në ndërtim në Teheran.

 Një prokuror i Teheranit fillimisht tha se ajo vdiq pasi u hodh nga çatia e ndërtesës dhe se vdekja e saj “nuk kishte lidhje me protestat” e asaj dite, por dhe pse deklaroi se kishin te benin me një vrasje, prokurori nuk tha nëse kishte të dyshuar nën hetim.

Transmetuesit shtetërorë iraniane raportuan se ajo “ra”, por nuk dhanë prova për të mbështetur pretendimin se ishte një aksident.

Të mërkurën, pasi CNN i kërkoi qeverisë të komentonte provat në këtë hetim, një raport i medias iraniane citoi një prokuror të Teheranit të thoshte se vdekja e Nikës ishte një vetëvrasje. Autoritetet iraniane ende nuk i janë përgjigjur pyetjeve të përsëritura të CNN për vdekjen e Nikës

Autoritetet nuk shpjeguan kurrë pse Nika do të hynte vetë në atë ndërtesë dhe nëna e Nikës ka thënë se nuk beson se personi i maskuar është Nika. Nëna e saj ka thënë se beson se Nika është vrarë nga autoritetet, por autoritetet nuk kanë thënë kurrë nëse Nika ishte dërguar në paraburgim në asnjë moment.

Por dhjetëra video dhe rrëfime të dëshmitarëve okularë të marra nga CNN tregojnë se Nika duket se është ndjekur dhe arrestuar nga forcat iraniane të sigurisë atë natë.

Një dëshmitare okulare, Ladan, tha për CNN se pa Nikën të arrestohej në protestë nga “disa oficerë sigurie me rroba civile”, të cilët e futën në një makinë.

Ky dëshmitar, ndërsa ishte i bllokuar në trafikun e Teheranit, filmoi një video që supozohet se tregon Shahkarami duke u ulur pas një makine të bardhë dhe duke bërtitur “tekoon nakon, tekoon nakon” – që do të thotë “mos lëviz, mos lëviz”.

Shtatë persona që e njihnin Nikën dhe folën për CNN konfirmuan se ishte ajo. Të njëjtat pamje, të filmuara në orën 20.37 të datës 20 shtator, tregojnë gjithashtu policët e anti-trazirave me motoçikleta, duke patrulluar zonën.

“Doja ta shpëtoja, por nuk munda,” tha Ladan. “Ishin rreth 20 ose 30 basixhinj me motoçikleta në trotuar,” tha ajo, duke përdorur emrin lokal për organizatën paraushtarake që ka qenë në ballë të goditjes së shtetit ndaj protestuesve.

“Shahkarami po gjuante gurë mbi ta. Isha i frikësuar dhe madje kalova pranë saj dhe i thashë: “Kujdes e dashur!” sepse kishte një numër policësh me rroba civile në rrugë që kalonin nëpër makina duke e kërkuar atë.

“Pesëdhjetë metra përpara e morën atë,” shtoi Ladan.

“Më kujtohet sa e guximshme ishte, sepse ngjitej në koshin e plehrave dhe nuk zbriste. Ajo dogji edhe shaminë e saj”, tha Najmeh, një protestuese që ishte me Nikën në demonstratë.

CNN po përdor pseudonime për të gjithë dëshmitarët e cituar në këtë hetim, për shkak të rrezikut për sigurinë e tyre.

Exit mobile version