Site icon

Daliç dhe Skaloni, trajnerët “pa të shkuar” që kërkojnë lavdinë

“Ke tre ndeshje në dispozicion për të më bindur”. Kanë qenë këto fjalët e presidentit të Federatës Kroate të Futbollit, Davor Shuker në telefonatën në drejtim të Zlatko Daliçit. Në tre ndeshje, Daliç fiton biletën për në Rusi dhe kontratën, pastaj arrin deri në finale, diçka që mund të përsëritet në Katar.Në Rusi ama, argjentinasit kaluan shumë netë pa gjumë. Botërori aty është një tragjikomedi me trajnerin Sampaoli që siguron “gjithçka është në rregull”, ndërsa lojtarët e tij zbulojnë: “Jemi ne ata që komandojmë”. Kaosi sjell eliminimin e Argjentinës nga Botërori, ashtu si atë të trajnerit që ia lë vendin zëvendësit të tij, Lionel Skalonit. Skaloni e nis që aty për të fituar Kupën e Amerikës dhe për të ëndërruar finalen e Dohas. Sot do të sfidohen mes tyre dy trajnerët që para kombëtareve nuk ekzistonin.

TAKTIKAT E AEROPORTIT – Kur Shuker e telefonon më 7 tetor 2017, Daliç ishte i papunë. Në shtatë vitet e fundit kishte qenë trajner në Arabinë Saudite (Al-Faislai, Al-Hilal) dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe (kampion me Al-Ain). Në CV-në e tij, një vend i katërt me Rijekën në 2008, dhe një sezon në Shqipëri me Dinamon në Tiranë. E thënë me gjithë respektin: një askush. Daliç mbush çantën e tij me rroba, vrapon në aeroportin e Zagrebit dhe takon ekipin në një dhomë të vogël përpara se të niset. “Nuk e njihja, erdhi nga hiçi dhe papritur”, tregonte Modriç, ndërkohë që Daliç rrëfeu: “U thashë që për mua ata ishin të fortë, se besoja te ekipi. Edhe ata duhej ta besonin”. Kroacia mposht Ukrainën, fiton në “play-off” kundër Greqisë dhe shkon në Rusi.

ZBULIMI RUS – Në Rusi 2018, Daliç bëri mrekullinë e tij të parë tashmë në grupe, duke mposhtur Argjentinën e Sampaolit (3-0) dhe më pas Islandën (2-1). Më pas, në fazën me eliminim direkt, ata mposhtën Danimarkën dhe Rusinë me penallti (një paralele goditëse me atë që po ndodh në Katar, ku Japonia dhe Brazili u eliminuan gjithashtu nga 11-metërshat). Në gjysmëfinalen ruse, suksesi erdhi në kohën shtesë me Anglinë, ndërsa më pas erdhi finalja e madhe kundër një France shumë të fortë. Por kjo mjaftoi që Modriç të ishte “Topi i Artë 2018”.

PA MESIN – Ndërkohë që Daliç po shijonte pushimet, futbolli argjentinas po përjetonte trazira. Për Skalonin, ish-in e LAcios dhe Atalantës, ndikimi i Rusisë nuk është aq i madh sa për Daliçin. Kupa e Botës ka ngelur pas, në horizont ka vetëm miqësore edhe pse jashtë zyrës së tij në Buenos Aires nuk është shkruar ende “trajneri”. Kontrata iu ofrua vetëm më 29 nëntor 2018. Në pak muaj ai bindi federatën dhe ia doli pa Mesin, i cili pas Rusisë, vendosi të hiqte dorë nga kombëtarja për pak kohë. Skaloni rrëfente: “Për mua Leo është si Federer, por nuk folëm për të ardhmen”.

TRIUMFI NË RIO – Argjentina filloi të besonte në mallkimin e Kupës së Amerikës, e fituar për herë të fundit në vitin 1993. Në përvojën e tij të parë, në vitin 2019, Scaloni ndalet në gjysmëfinale kundër Brazilit. Fillon një seri ndeshjesh në të cilat ishin të pamposhtur e cila përfundon pas 36 sfidash, një më pak se rekordi i Italisë së Mançinit, pikërisht në Katar, në debutimin e tij kundër Arabisë Saudite. Gjatë këtij cikli, “La Skaloneta” ngre Kupën e Amerikës 2021 duke triumfuar ndaj Brazilit në Rio, një triumf i munguar prej 28 vitesh dhe me Mesin që nuk e kishte fituar asnjëherë. Goli në finale i Di Marias dhe “Topi i Artë” për Mesin.

ÇFARË SFIDE – Daliç humbet trenin për Kampionatin Evropian 2021, por në Zagreb nuk u ngutën për ta larguar dhe ai tregoi veten duke u kualifikuar për në Katar. Skaloni nuk është në dyshim, fiton “Superfinalen” me Italinë në “Uembli” dhe niset drejt Katarit di favorit. Rrugët e dy “të panjohurve” takohen për herë të parë sot, në një natë ku do të luajnë gjithçka.

Exit mobile version