Site icon

Dështim pas dështimi te Spanja, shpërthen ish-lojtari i Realit: Mjaft më me “tiki-takën” e Barcelonës

Ish-mesfushori i Realit të Madridit dhe kombëtares spanjolle, Hoze Maria Gutierrez, Guti, ka sulmuar ashpër stilin e lojës së Spanjës që çoi edhe në kapitullimin e saj në Botërorin e Katarit. Sipas tij, loja e Spanjës ka shfaqur të njëjtat defekte si ajo e Barcelonës.“Ajo që ndodhi me Barcelonën ndodhi edhe me Spanjën. Ne duam të kujtojmë skuadrën e madhe që kishim, ne duam të luajmë të njëjtën lojë që luante ajo skuadër e madhe dikur. Spanja aktuale ka lojtarë shumë të mirë, edhe nëse nuk janë superyje, kanë cilësi të jashtëzakonshme. Por problemi i Spanjës qëndron te stili i lojës së saj. Ndoshta duhet të luajmë diçka tjetër. Madje them se do të ishte e udhës të provojmë diçka ndryshe. Trajneri i ri duhet të ndryshojë lojën tonë”, tha Guti.

Ai gjithashtu deklaroi se ishte i ngopur me stilin vetëm zotërim topi dhe asgjë më shumë! “Jam lodhur duke parë që ne luajmë gjithmonë me të njëjtin stil. Edhe kur kemi edhe kur nuk kemi lojtarë të aftë ta bëjnë ne nuk ndryshojmë stil. Kjo është ajo që ndodhi me Barcelonën”, insistoi ai. “Ju mund të vazhdoni të luani sipas një filozofie, por duke ndryshuar disa koncepte. Ne nuk duam të jetojmë gjithë jetën me Kupën e Botës të fituar në Afrikën e Jugut dhe vazhdimisht të kujtojmë lojtarët që fituan atë Botëror. Nëse kundër Marokut u kryen 800 pasime, por nuk shkuan përtej mesfushës, atëherë është e kotë të diskutojmë”, theksoi ai. Për Gutin: “Futbolli është të përshtatesh me atë që ke dhe të mos jetosh në të kaluarën. Duhet të kërkosh variante për të fituar, sepse e rëndësishme në futboll është të fitosh”, tha ai.

Exit mobile version