Site icon

Diplomati i lartë amerikan dhe rus takohen në takimin e G20 për herë të parë që nga pushtimi i Ukrainës, zbardhen 3 pikat e forta të Blinken që “gozhduan” Lavrovin

Diplomatët e lartë nga 20 vendet kryesore të industrializuara dhe në zhvillim të botës, hapën ditën e djeshme samitin për bisedimet që priten të jenë të dominuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe lëvizjet e Kinës për të rritur ndikimin e saj global. Gjatë këtij takimi u “përplasën” dy kryediplomatët rus dhe amerikan. Ky është rasti i parë që ministri i jashtëm rus  Sergey Lavrorv dhe ai amerikan Antony  Blinken takohen që kur Rusia filloi agresionin e saj kundër Ukrainës me 24 shkurt të vitit të kaluar. Sipas New York Times  ky takim ishte i paplanifikuar dhe erdhi pasi qeveria ruse akuzoi vendet perëndimore për shantazh dhe kërcënime.

3 pikat e Blinken

Mendohet se takimi ka zgjatur vetëm 10 minuta dhe u prekën tensionet e rritura midis Uashingtonit dhe Moskës për shkak të luftës Ukrainë-Rusi. Sipas një zyrtari të lartë amerikan gjatë takimit  u diskutua dhe tre pika të rëndësishme. SHBA do ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa duhet për t’i dhënë fund luftës, Rusia duhet ta ndryshojë vendimin e saj pas pezullimit të pjesëmarrjes në traktatin bërthamor, Moska duhet ta lirojë të arrestuarin amerikan Paul Whelan. Ne lidhje me takimin nuk ka pasur ndonjë reagim nga pala ruse. Lavrov dhe Blinken për herë të fundit janë takuar në janar të vitit 2022 në Gjenevë, kur krye diplomati amerikan paralajmëroi kundër pushtimit. Blinken më pas anuloi një takim të ri me Lavrovin kur u bë e qartë se Rusia kishte vendosur ta sulmonte Ukrainën, gjë që ndodhi më 24 shkurt 2022. Të dy krye diplomatet morën pjesë në samitin e fundit të G20-s në Bali, që u mbajt korrikun e kaluar dhe Lavrov u largua nga samiti për shkak të kritikave për luftën që bënë zyrtarët perëndimorë. Pas takimit Lavrov informoi gazetarët se nuk do të ketë deklaratë të përbashkët si dhe pas takimeve të ministrave të financave për shkak të mosmarrëveshjeve për luftën në Ukrainë. Ai fajësoi dhe një herë vendet perëndimore se duke armatosur Ukrainën  kanë provokuar dhe kanë nxitur më tej konfliktin në Ukrainë.  Nuk ka informacione konkrete në lidhje se cila palë e ka kërkuar një takim të tillë por dihet vetëm se para pak ditësh Rusia kishte njoftuar për një takim të tillë, lajm që më pas e përgënjeshtroi. Kujtojmë se Blinken përpara së të nisej drejt Nju Delhit u shpreh para gazetarëve se nuk do të takohet me ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Kinës gjatë takimit  të G20. Madje ai akuzoi Moskën se nuk është serioze lidhur me dhënien fund të luftës në Ukrainës. “Nuk kam plane të takohem me asnjërin prej tyre në G20”, u shpreh Blinken.

Ja çfarë ndodhi tjetër gjatë takimit

India, e cila ishte mikpritëse e këtij samiti, u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të G20-s që të arrijnë konsensus për çështjet me shqetësim të thellë për vendet më të varfra, edhe nëse ndarja ideologjike Lindje-Perëndim për Ukrainën nuk mund të zgjidhet. Në një fjalim me video drejtuar ministrave të Jashtëm të mbledhur në Nju Delhi, kryeministri indian, Narendra Modi, u kërkoi diplomatëve të lartë që të mos lejojnë që tensionet aktuale t’i shkatërrojnë marrëveshjet që mund të arrihen për sigurinë e ushqimit dhe energjisë, ndryshimin e klimës dhe krizën e borxhit. Duke vënë në dukje frikën se përçarja gjithnjë e më e ashpër ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, si dhe midis Rusisë dhe  Kinës Modi vuri në dukje se në ditët  e sotme  multilateralizmi është në krizë. Ai u ankua se dy qëllimet kryesore të rendit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore  janë parandalimi i konfliktit dhe nxitja e bashkëpunimit. Lufta në Ukrainë dhe efektet e saj në energjinë globale dhe sigurinë ushqimore do të dominojnë si dhe do të ndikojnë në shumicën e ngjarjeve ndërkombëtare. Megjithatë, konflikti i zgjatur ka zgjeruar hendekun mes palëve kundërshtare, duke përkeqësuar një marrëdhënie tashmë të tendosur ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe  Rusisë.

Exit mobile version