Në dhjetor të vitit 2019, tre prokurorë të SPAK, Vladimir Mara, Dritan Pemçi dhe Pranvera Pustina, udhëtuan drejt Italisë për të marrë në pyetje disa të penduar të një prej grupeve më të fuqishme të drogës, me në krye bosin Ilirjan Duçkollarin, i njohur si (Lani).
Grupi mblidhte kanabisin nga zona të ndryshme të Shqipërisë dhe më pas e trafikonte nga Vlora drejt Italisë. Banda e drogës u godit dhe u zbërthye nga një hetim prej disa vitesh të Drejtorisë Investigative Antimafia e Puljas në Itali.
Nga anëtarët e shumtë të grupit, u penduan pesë: Mariglen Shusha, Donial Drolli, Elton Hamza, Ferhat Ajdini dhe Fiqiret Seferi.
Të penduarit e drejtësisë kanë treguar me detaje se si funksiononte trafiku i drogës dhe se i gjithë shteti ishte vendosur në shërbim bosit Ilirjan Duçkollari.
Hetimi italian solli më pas operacionin të bujshëm ‘Shpirti’, i cili u finalizua në korrik të vitit 2021, me 38 urdhër-arreste, mes të cilëve prokurorin Maksim Sota, zyrtarë të lartë policie, dy ish-shoqërues të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, si dhe persona të tjerë të implikuar në trafikun e madh të drogës, pastrimin e parave etj.
Arsyet se pse po i rikthehemi kësaj dosje konsiston në faktin se vetë operacioni dhe më pas procesi gjyqësor, mbart elemente korrupsioni dhe favorizimi.
Jo të gjithë personat e përmendur nga të penduarit si ushtarë të bosit të drogës, janë marrë në përgjegjësi penale. Pra është operuar me dy standarde, ku janë goditur disa zyrtarë dhe prokurorë, ndërsa disa zyrtarë të tjerë të implikuar, kanë shpëtuar.
Duke iu referuar dosjes voluminoze të drejtësisë italiane rezulton se, i penduari i drejtësisë Mariglen Shusha ka rrëfyer para prokurorëve të SPAK Vladimir Mara, Dritan Pemçi dhe Pranvera Pustina se kapoja i drogës Ilirjan Duçkollari kishte lidhje me shefin e Shërbimit Informativ të Shtetit në Vlorë.
Sipas të penduarit Mariglen Shusha, i cili ishte një nga njerëzit më të afërt dhe të besuar të Duçkollari, bosi i drogës informohej nga shefi i SHISH në Vlorë. Në rrëfimin e tij që ndodhet në dosjen italiane që edhe ne disponojmë, Mariglen Shusha deklaron disa herë se si shefi i SHISH raportonte tek bosi i drogës, duke e informuar.
Kur në vitin 2015, Ilirjan Duçkollarit iu kap gomonia me 808 kg drogë në Vlorë, drejtori i Policisë së Vlorës në atë kohë, Jaeld Çela, shkoi me shpejtësi tek bosi, duke iu betuar se nuk kishte gisht ai. Kur një ushtar i Duçkollarit, Robert Myftarit, u shpall në kërkim dhe më pas u dorëzuar.
Duçkollari, sipas të penduarit hodhi 200 mijë euro, dhe Ened Nakuçi, sot prokuror i SPAK, e liroi Myftarin.
I penduari rrëfen në detaje dhe më emra se si shefat e policisë, segmente të ushtrisë, prokurorë, gjyqtarë, avokatë, psikologë, drejtorë të ndryshëm, ishin nën shërbim të Ilirjan Duçkollarit, i cili i paguante me paratë e drogës.
Pra, nuk ishte vetëm prokurori Maksim Sota në shërbim të grupit të drogës, por një rreth i madh zyrtarësh dhe funksionarësh të drejtësisë, për të cilët do të flasim në vijim, bashkë me emrat konkret.