Sulmuesi i Realit të Madridit, Vinicius Zhunior, ka dhënë një intervistë për “Goal”, ku ka folur për një sërë temash, për Benzemanë, “Topin e Artë”, sukseset me Realin dhe të ardhmen në klubin e bardhë.
Braziliani ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Madridit në këtë sezon, duke qenë golashënuesi më i mirë për Realin me 8 gola në të gjithë kompeticionet.
Vini reflektoi për francezin dhe “Topin e Artë”, duke e cilësuar Benzemanë si partnerin e tij të madh.
“Pas shumë kohe të kaluar së bashku me Kristiano Ronaldon, transformimi i Benzemansë në yllin e Realit nuk ka qenë i lehtë. Për të ky kapërcim në stad ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe unë jam i lumtur që po i jap një dorë.
Sa për ‘Topin e Artë’, nëse vijojmë të luajmë kështu dhe të fitojmë trofe, nuk do të jetë befasi që ky trofe të mbetet në Madrid”, tha Vinicius.
GOLAT – “Të vetmit numra që vendos në kokën time janë ato të titujve që mund të fitoj, ajo që jam përpjekur të bëj është të jem gjithmonë në versionin tim më të mirë për të fituar me më të mëdhenjtë në botë. Numri i golave dhe asisteve është rëndësishëm, por gjëja më e mirë është të jap maksimumin dhe të ndihmoj ekipin të fitojmë trofe së bashku”.
BINOMI ME BENZEMA – “Benzema është jo vetëm partner në sulm, por është dhe një mësues mjaft i mirë. Më ndihmoi shumë me udhëzimet e tij, që të shënoj sa më shumë. Është një person që më ka ndihmuar shumë në fushë dhe jashtë saj”.
GOLI NË PARIS – “Kam shënuar jo pak gola, prej tyre disa të mrekullueshëm. Por goli më i veçantë për mua mbetet ai shënuar në finalen e Ligës së Kampioneve në Paris. Ai është një gol që e ëndërrojnë shumë lojtarë, por jo të gjithë e realizojnë ëndrrën e tyre. Goli i shënuar në finalen e Ligës së Kampioneve ishte një ndjesi e mrekullueshme, por nuk dua të mbetem vetëm me atë kujtim. Dua të vijoj të shkruaj historinë me klubin më të madh në botë”.
“TOPI I ARTË” – “Unë vazhdoj të punoj për t’u përmirësuar. Nëse vijoj kështu një ditë…”
EVOLUCIONI NË MADRID – “Kam mbërritur këtu në klubin më të madh në botë vetëm 18 vjeç. Nuk ka qenë e lehtë, nuk është e lehtë. Por me kalimin e kohës kamë mësuar, jam pjekur dhe tani jam në momentin tim më të mirë”.
E ARDHMJA – “E sigurt është se dhe pas 5 vjetësh do të më gjeni këtu”

