Site icon

Ekipet italiane nuk janë të forta si dikur“, Redknap: Milani s’më bind, Konte na kualifikon

Në përballjen e fundit mes Milanit dhe Totenhemit kualifikoheshin anglezët që asokohe drejtoheshin nga Herri Redknap. Pikërisht tekniku 76-vjeçar ka analizuar sfidën që do të luhet sot në orën 21:00 në Londër.Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

E pashë të parën dhe u konfirmuan problemet që Totenhemi ka kur luan në transfertë. 1-0 nuk është aq i vështirë për t’u përmbysur dhe besoj se do t’ia dalin. Avantazhi që jep publiku nuk është për t’u nënvlerësuar. Me lojtarë si Son, Kejn e Riçarlison nuk mund të diskutohet kualifikimi.

Po, por mungon cilësia në mesfushë e dikujt si Bentankuri…

Me siguri, por Skipi që e zëvendëson ka cilësi. Pastaj me gjithë respektin për Piolin, nuk duhet nënvlerësuar ajo që Konte i transmeton ekipit të tij. Ka bërë një punë fantastike kudo që ka qenë dhe po bën të njëjtën gjë me Totenhemin.

Pra, Milani nuk ju bind?

Nuk do ta thoja këtë, por me siguri që ekipet italiane nuk janë më të forta si dikur. Milani ka traditë, por ajo që më duket në nivelin që kërkohet në Europë është Napoli.

Në fakt, duket se është momenti i anglezeve…

Dikur, në Angli, të gjithë shikonim kampionatin italian dhe lojtarët ëndërronin të shkonin në Serinë A: Lajam Bredi, Sounes, Hatlej, Xhordan. Italia ishte e veçantë. Dhe madje në atë kohë njerëz si Xhon Çarls apo Xhimi Grivs që ishin më të mirët në Mbretërinë e Bashkuar shkuan në Itali, duke kurorëzuar një ëndërr. Sot, nëse i propozohej Herri Kejnit që të transferohej te Milani ose Interi, ai do të përgjigjej jo. Të gjithë duan Premier Ligën, që jo vetëm ka shumë para, por edhe ofron futboll të jashtëzakonshëm.

Por ka edhe anglezë si Tomori që zgjedhin Italinë e që kombëtarja i snobon.

Sauthgejti nuk e grumbullon sepse preferon lojtarë si Stons e Meguajër me të cilët punon prej vitesh. Tomorit nuk i është dhënë hapësirë, por mbetet një lojtar që mund të luajë kudo e në nivelet më të larta.

Exit mobile version