Në Tiranën që mburret me standarde evropiane, pastrimi i qytetit nuk është më vetëm çështje estetike, por një mision mafioz me përfshirje të drejtpërdrejtë të organizatave kriminale ndërkombëtare. Kompania “Eko Tirana”, që ka monopolin e pastrimit të qytetit, është një shoqëri aksionare ku 49% zotërohet nga Bashkia Tiranë dhe 51% nga një kompani italiane e përmendur në hetime të shumta për lidhje me organizatën mafioze ‘Ndrangheta.
Ky “partneritet” i quajtur strategjik, është në fakt një skemë e përkryer e larjes së parave, ku taksat e qytetarëve shqiptarë financojnë një ndërmarrje me rrënjë në kriminalitetin ndërkombëtar. Për ironi, ndërsa në Itali drejtësia heton dhe ndëshkon lidhjet e kësaj kompanie me mafien kalabreze, në Shqipëri jepen kontrata dhe tenderë në heshtje absolute.
Dokumentet italiane, përgjimet telefonike dhe investigimet e mediave të huaja zbulojnë një realitet të frikshëm, organizata mafioze ‘Ndrangheta ka përdorur rrjetin e saj ekonomik për të hyrë në tregun shqiptar përmes Eko Tirana-s, nën bekimin institucional të Bashkisë Tiranë. Nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, kjo marrëdhënie jo vetëm që nuk është ndalur, por është thelluar dhe promovuar si “histori suksesi”.
Tenderat nuk i fitojnë më kompanitë me përvojë e integritet, por ato që mbështeten nga mafiozë të certifikuar në Kalabri. Qytetarët paguajnë çdo muaj taksa për një qytet më të pastër, por në realitet ajo që pastrohet janë paratë. Rrugët janë të mbushura me plehra, ndërsa arkat e Eko Tirana-s mbushen me miliona euro.
Pastrimi është vetëm në pamje sepse çfarë fshihet pas makinave të gjelbërta të pastrimit, është më e ndotur se vetë plehrat.
Kjo është Tirana e marrë peng nga një kompani e përfolur për lidhje mafioze dhe një bashki që ka zgjedhur të jetë ortake me errësirën, jo me qytetarët.

