57-vjeçari u qëllua për vdekje në afërsi të ish-QTU nga persona ende të paidentifikuar. Mendohet se dy autorë iu afruan të ndjerit me një makinë tip “Benz” dhe e qëlluan me breshëri kallashnikovi.

Mësohet se 15 persona janë shoqëruar në polici për ngjarjen e mbrëmshme, mes të cilëve ka edhe persona me precedentë penalë, ndërsa disa prej tyre kanë patur edhe konflikte të mëhershme me viktimën.

Backa u qëllua me 16 plumba, por pavarësisht se u dërgua menjëherë drejt spitalit, nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Dyshohet se për këtë atentat mafioz të kenë qenë 5 persona. Më pas ata janë larguar në drejtim të Vlorës dhe kanë djegur mjetin në afërsi të Bypass-it të Fierit. Brenda mjetit janë gjetur pjesërisht të djegur një kallashnikov dhe një pistoletë, që mendohet se janë përdorur për ekzekutimin e Demir Backës. Armët janë dërguar në laborator për ekzaminim. Gjithashtu në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 16 gëzhoja. Mendohet se autorët e kanë ruajtur prej ditësh Demir Backën, dhe e kanë vëzhguar para se të kryenin atentatin.