Site icon

Europa “përkëdhel” Ukrainën, rezoluta për statusin e vendit kandidat me procedurë të përshpejtuar

Me 529 vota pro, 45 kundër dhe 14 abstenime, Parlamenti Evropian miratoi dje rezolutën që i kërkon Këshillit Evropian t’i japë pa asnjë vonesë statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë. Dokumenti kërkon gjithashtu që Gjeorgjia të marrë këtë status, por më parë duhet të përfundojë reformat e nevojshme.

Pavarësisht se rezoluta për statusin e vendit kandidat u bë në mënyrë të përshpejtuar, kjo nuk do të thotë se Ukraina dhe Moldavia do të mund t’i bashkohen unionit po me këtë lloj procedure. Deputetët argumentuan se të dyja vendet duhet të plotësojnë reformat, të cilat do t’u ngarkohen. Ukraina bëri një aplikim të përshpejtuar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian pas agresionit nga Rusia më 24 shkurt.

Presidenti Zelenski kërkoi me këmbëngulje që unioni të mbështeste vendin e tij, duke tejkaluar rrugën normale që kërkon anëtarësimi. Për këtë çështje, liderët europianë ranë dakord, por dukë vënë në dukje se reformat janë të domosdoshme. Gjatë samitit të djeshëm, ndryshe nga Ukraina dhe Moldavia, nuk pati një dritë jeshile për vendet e Ballkanit Perëndimor, por as për liberalizimin e vizave me Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e pranishme në samitin e Brukselit, përcolli dje një mesazh shumë të qartë për liderët e BE-së për çështjen e liberalizimit të vizave. Sipas Osmanit, populli i Kosovës ndihet i diskriminuar në kontinentin ku jeton dhe se ajo është e vetmja në tryezë që i duhet të marrë vizë për të arritur në takim.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë. Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar axhendën evropiane, por unë ulem mes jush këtu si i vetmi person në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit. Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”, tha Osmani

Exit mobile version