Markus Rashford ka rrezikuar zemërimin e trajnerit Erik ten Hag duke dalë në darkë vetëm disa orë pas humbjes së Mançester Junajtidit në derbin në “Old Trafford”. Sulmuesi bëri një tjetër paraqitje nën nivel, pasi “djajtë” u mundën lehtësisht 3-0 në shtëpi nga rivalët e Sitit të dielën.
Por pak orë më vonë, ylli i Anglisë u drejtua për në një nga klubet e natës në Mançester për të festuar ditëlindjen e tij të 26-të me familjen dhe miqtë në një zonë VIP. Mësohet se aty ishte edhe shoku i skuadrës Tajrell Malacia.
Festa thuhet se ka përfunduar rreth orës 3:30 të mëngjesit, megjithëse është e paqartë nëse Rashfordi qëndroi jashtë kaq gjatë. Ai u stërvit me pjesën tjetër të skuadrës të hënën në mëngjes.

