Këshilli i FIFA-s ka përcaktuar dje zyrtarisht ndryshimet që do të bëhen në kompeticionet për klube. Botërori i Klubeve me 32 skuadra, do të zhvillohet në SHBA në 15 qershor 2025 – 13 korrik 2025 dhe do të ketë 12 skuadra europiane pjesëmarrëse, me kriter 4 fitueset e fundit të Ligës së Kampioneve (Mançester Siti, Real Madrid, Çelsi dhe ai i këtij edicioni) dhe 8 skuadra të tjera në bazë të renditjes së UEFA-s.
Kështu vendin e kanë siguruar Interi, Bajern Mynih, PSG-ja, Benfika dhe Porto, ndërsa përveç fituesit, pritet një skuadër italiane mes Napolit dhe Juves, me këtë të fundit të pozicionuar më lart aktualisht, skuadrat që do të dalin nga balotazhi mes Barcelonës dhe Atletikos së Madridit dhe ai mes Lajpcigut dhe Borusia Dortmundit.
Nëse fituesi i këtij sezoni do të jetë tashmë mes të kualifikuarve, skuadra e shtuar do të zgjidhet në bazë të renditjes së UEFA-s (Salcburgu për momentin). Ndërsa formati i ri i Botërorit të Klubeve do të luhet një herë në 4 vite, FIFA do të rikthejë nga viti i ardhshëm Kupën Interkontinentale (emri i braktisur në 2004-ën), që do të luhet çdo vit.
Këtë herë skuadra që do të fitojë Ligën e Kampioneve nuk do ta nisë nga gjysmëfinalja, por do të presë në finale ekipin fitues nga dueli i kampionëve të kontinenteve të tjera. Kompeticioni do të luhet në periudhën që luhet aktualisht Botërori i Klubeve, pra në mes të dhjetorit, me finalen e caktuar për 18 dhjetor 2024.

