Pasi Turqia ra dakord që Finlanda të anëtarësohet në NATO, sot kjo do të ndodhë zyrtarisht. Këtë e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg. Rusia njoftoi se do të forconte ushtrinë e saj në perëndim.
Finlanda do të anëtarësohet sot (04.04.) zyrtarisht në NATO. Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha dje se “nga nesër Finlanda do të jetë anëtare e plotë e NATO-s”. Turqia, e cila ishte vendi i fundit anëtar që ratifikoi anëtarësimin e Finlandës, do të dorëzojë dokumentet për këtë në një takim të ministrave të Jashtëm në Bruksel. Finlanda është e ftuar të bëjë të njëjtën gjë.
Para selisë pasdite do të ngrihet flamuri i vendit të 31-të anëtar të aleancës ushtarake. Do të jetë një ditë e mirë për sigurinë finlandeze, për sigurinë nordike dhe për NATO-n në tërësi, tha Stoltenbergu.
Presidenti finlandez Sauli Niinistö dhe ministri i Mbrojtjes Antti Kaikkonen pritet të marrin pjesë në ceremoni së bashku me ministrin e Jashtëm Pekka Haavisto.
“Ky është një moment historik për ne. Për Finlandën, qëllimi kryesor i takimit do të jetë të nënvizojë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, ndërsa Rusia vazhdon agresionin e saj të paligjshëm,” tha Haavisto në një deklaratë. “Ne duam të nxisim stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë rajonin euroatlantik”.
Rusia reagoi ndaj këtij njoftimi. Zëvendësministri i Jashtëm Aleksander Grushko njoftoi përforcimin e aftësive ushtarake ruse në rajonet perëndimore dhe veriperëndimore të vendit. Ky është reagimi i Rusisë ndaj anëtarësimit të pritshëm të Finlandës në NATO, thotë Grushko sipas një informacioni të agjencisë shtetërore të lajmeve RIA.