Me 59 fitore në stolin e Brazilit, Tite bëhet trajneri i tretë më fitues në historinë e “Seleçaos”, bashkë me Dungën.Vendi i parë në këtë renditje është i Mario Zagallos me 91 suksese, teksa Parreira është i dyti në kuotën 61. Ndërkohë, dje për herë të parë Brazili mundi Zvicrën në Botëror pas dy barazimesh në po aq përballje të mëparshme.
Për teknikun brazilian Tite nuk është kohë për të parë statistikat, aq më tepër që skuadra e tij ka siguruar kualifikimin për 1/8-at e kompeticionit.
Në konferencën për shtyp që pasoi suksesin minimal ndaj Zvicrës, Tite deklaroi:
“Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, por rëndësi ka që e siguruam objektivin. Zvicra luajti mirë dhe na krijoi disa probleme pasi nuk lejonin hapësira.
U mundova të ngarkoj Paketanë me disa detyra ndërtuese, por nuk ia dolëm pavarësisht se Lukasi punoi mirë. Rodrigon ishte një opsion taktik, dhe ndonjëherë loja të kërkon gjëra të caktuara”. Golin e shënoi Kasemiro, por fjalët e 62-vjeçarit janë të fokusuara te loja ekipore.
“Duhet të përmirësojmë disa aspekte, por i kemi mundësitë për t’ia dalë. Fituesi sot ishte procesi. Ka ardhur koha që pas katër vitesh përdorimi, lojtarët të zhvillohen, të jenë të natyrshëm duke përfituar nga klubet e tyre dhe duke pasur mundësi në kombëtare”.
