Formula 1 këtë fund javë është zhvendo sur në Azerbajxhan për garën e katërt sezonale. Në Baku do të futet në fuqi edhe rregullorja e re e zyrtarizuar disa ditë më parë nga FIA, që ka të bëjë me garat sprint dhe kualifikueset e këtij sezoni.
Duke nisur nga eventi i Azerbajxhanit, radha e nisjes për garën nuk do të vendoset më nëpërmjet renditjes së garave Sprint. Kështu, radha e nisjes për garën e të dielave do të përcaktohet nëpërmjet provave kualifikuese të së premtes (sot), ditë kur do të mbahet fillimisht një sesion provash të lira, për të kaluar më pas te zyrtaret.
Më tej të shtunën do të mbahen tri sesione, 12 minuta në sesionin e parë, 10 minuta në sesionin e dytë dhe 8 minuta në sesionin e tretë për të përcaktojë radhën e nisjes në garën sprint, e cila do të zhvillohet po të shtunën. Një formulë e re kjo e zgjedhur nga organizatorët, për t’i bërë më spektakolare garat sprint, me pilotët që do të kenë më pak presion. Ndërkohë ditë e djeshme u mbajt edhe konferenca tradicionale për shtyp e pilotëve.
MAKS VERSHTAPEN – Piloti i Red Bullit konfirmoi se tashmë është rikuperuar nga problemet fizike që e kishin shqetësuar në Australi, ndërsa u shfaq i entuziazmuar nga formati i ri: “Mezi pres të garoj. Do të jetë diçka e re për të gjithë, por ne mund të bëjmë mirë. Në këto tri javë jam rikthyer në 100% të formës dhe tani ndihem shumë mirë. Në Azerbajxhan do të jem në gjendje të jap gjithçka që kam, le të shpresojmë që të vazhdojmë të fitojmë. Formati i ri i fundjavës na lë me shumë të panjohura. Do të ketë garën e sprintit me kualifikimin e tij, por mbi të gjitha do të kemi vetëm një sesion provash të lira dhe kjo do ta bëjë gjithçka më komplekse, sepse gabimet mund të rezultojnë fatale”, deklaroi Maks Vershtapen.
LUIS HAMILTON – Ndërkohë britaniku i Mercedesit foli për rikthimin pas pauzës, ndërsa vjen me pritshmëri të larta në Baku: “Pas podiumit në Melburn kam besim të një tjetër rezultat pozitiv. Shpresojmë të jemi konkurrues me formatin e ri. Pa dyshim që e mirëpres me entuziazëm, pasi na fut të gjithëve në të njëjtën barkë dhe është fillimi i një rruge të re”, deklaroi Hamilton, i cili komentoi edhe rikthimin e Allison si drejtor teknik: “Do të na forcojë dhe mund të jetë fillimi i një rruge të re, e cila do ta kthejë Mercedesin atje ku duam të jemi”, deklaroi 7 herë kampioni i botës.
Sot është mbajtur do të mbahet sesioni i parë i provave të lira, ndërsa në orën 15:00 do të nisin kualifikueset. Paraditen e nesërme do të mbahen kualifikueset për garën sprint, garë e cila do të nisë në orën 15:30. Ndërsa Çmimi i Madh i Azerbajxhnit do të startojë të dielën në orën 13:00.

