Lionel Mesi ka dek laruar më shumë se një herë se Kupa e Botës 2022 do të jetë e fundit në karrierën e tij. Megjithatë, duke pasur parasysh dhuntitë e tij dhe faktin që ai nuk do të tërhiqet menjëherë, përveç se vlerësim e radhës si “Lojtari i Botërorit”, ku i dihet që kjo gjë të mos i shtojë oreksin.Fundja, me atë çfarë Lioneli ofroi në këtë edicion tregoi se benzina në këmbët e tij nuk i mungon. Prandaj, duke parë se në çdo Botëror shihen gjithmonë e më shumë 38, 39 apo 40-vjeçarë, braziliania “GloboEsporte” rendit 5 arsye përse Mesi nuk duhet të tërhiqet dhe pse jo të mendojë që të luajë edhe Botërorin e tij të gjashtë, në vitin 2026, i cili do të zhvillohet në Amerikën Veriore, mes SHBAsë, Meksikës dhe Kanadasë.
Fundja, kjo nuk është hera e parë që “Pleshti” deklaron tërheqjen dhe më pas bën prapakthehu. Të gjithë e mbajnë mend vitin 2016, kur pasi humbi finalen e dytë të Kupës së Amerikës dhe mori mbi shpatulla të gjitha kritikat e botës amerikano-jugore, ai mendoi lamtumirën. Por e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në pritje të 2026-ës. Fundja, ai vetë e tha se do të vazhdojë të luajë për të shijuar petkun e kampionit të botës me Argjentinën dhe aq shpejt sa vitet ikin, ndoshta as Mesi nuk do t’i ndjejë ato dhe papritur do ta gjejë veten në skenën e madhe të radhës. Gjithsesi, le të listojmë 5 arsye të mundshme pse Botërori i radhës është brenda mundësive të tij.
KËRKESA E SKALONIT – Lionel Skaloni, pak minuta pasi u bë kampion bote, shfrytëzoi konferencën për shtyp për të rezervuar një vend për Lionel Mesin. Vendimi do të merret siç duhet nga vetë legjenda argjentinase, sepse trajneri e di shumë se edhe kur të jetë një veteran, një numër 10 në skuadër duhet gjithmonë. “Mendimi i parë që kam në kokë është se e kam një vend gati për në Kupën e Botës së radhës për Lionel Mesin. Ai ka fituar të drejtën për të vendosur se çfarë do të bëjë me karrierën e tij futbollistike dhe me kombëtaren, deri kur të varë këpucët në gozhdë. Mesi është Mesi dhe nuk ka tjetër që të vendosë si ai”.MË SHUMË REKORDE – Të dielën Mesi u bë lojtari me më shumë paraqitje në Kupat e Botës, 26 paraqitje, një më shumë se gjermani Lotar Mateus. Nëse rishikojmë idenë se në Kupën e Botës 2026 Mesi do të luante Botërorin e tij të gjashtë dhe akoma më shumë do të rriste numrin e tij të prezencave, ndoshta “Pleshti” do të bëhej realisht i pavdekshëm. Gjashtë Kupa Bote nuk i ka arritur askush dhe mbi të gjitha, mund të kërkojë edhe rekordin e fundit që do t’i mbeste, të thyejë 16 golat e gjermanit tjetër, Miroslav Klose (aktualisht Mesi është në kuotën 13).
PËR FËMIJËT – Një nga sekretet e qetësisë, por njëkohësisht adrenalinës dhe vetëbesimit të Lionel Mesit në këtë Botëror ishte prezenca e të gjithë familjes në Katar. Bashkëshortja Antonela, e ëma, i ati dhe fëmijët, ishin tifozët e tij më të zjarrtë, prandaj ky trofe i shumëkërkuar prej 35-vjeçarit ishte mbi të gjitha për ata. Por katër vite më vonë, Mesi do të përjetonte ndoshta edhe më bukur Kupën e Botës për fëmijët e tij. Kjo, pasi Tiago, më i madhi, do të ishte një adoleshent (14 vjeç), Mateo 11 dhe Çiro 8. Dhe pse jo, në një moshë më madhore, fëmijët e tij do ta kuptonin edhe më qartë se nga çfarë planeti vjen babai i tyre dhe se çfarë është i aftë të bëjë me topin në këmbë dhe se çfarë i ka dhënë historisë së futbollit.
“PARIS 2024” – Mes fitores aktuale dhe Kupës së Botës 2026, Lionel Mesi ka vend edhe për një valle të fundit, në një skenë ndryshe, Olimpiadën. Në vitin 2024, Parisi, shtëpia e tij aktuale, do të presë lojërat botërore dhe duke qenë se Leo po përgatitet që të rinovojë me PSG-në, ai mund të udhëhiqte Argjentinën edhe për një medalje të artë, duke ndarë në mes edhe tifozët parisienë. Fundja, ai një medalje të artë e ka fituar tashmë, por dy të tilla nuk i bëjnë keq askujt, aq më pak Lionel Mesit. Madje, një medalje në Olimpiadë mund të ishte benzina e duhur edhe për Botërorin 2026.
KUPA “NË SHTËPI” – Nga një strehë, në një strehë tjetër dhe ajo për të cilën të gjithë mendojnë se do të jetë e ardhmja më e afërt e Lionelit, Amerika. Zërat që e shohin tek Inter Majemi i Dejvid Bekhamit do të ishin një shtysë jo e vogël për të pranuar për të qenë pjesë e Argjentinës, në Kupën e Botës 2026. Fundja, pas aventurës me Parisin (maksimumi deri në vitin 2024), Mesi mund të vendosë që të jetojë në plazhet e Majemit dhe të punojë, me më pak vuajtje, dhimbje e impenjim, në kampionatin amerikan të futbollit. Dhe pse jo, duke qenë se SHBA-ja do të ketë pjesën më të rëndësishme të organizimit të Botërorit të radhës, Leo do ta luante në shtëpi edhe Kupën e Botës së ardhshme. Madje, do të mblidhte dyfish më shumë tifozë, si “amerikan”.