Elton Qyno
Vendimi i gjykatës së Përmetit, që solli lirimin nga qelia të Klement Ndinës, i cili konsiderohet si i “forti” i qytetit,ka sjellë reagimin e prokurorisë së rrethit, duke kundërshtuar vendimin dhe kryer apelimin në gjykatën e Gjirokastrës.
Prokurori i çështjes Asllan Bajramaj, ka kërkuar që Klement Ndina, i cili aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të gjykohet në Apelin e Gjirokastrës.
Pikërisht nga kjo gjykatë, prokuroria e Përmetit kërkon rrëzimin e vendimit të gjyqtares, Yrfet Shkreli, duke caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”.
Klement Ndina, akuzohet së bashku me djalin e tij Justin Ndina, se kanë qëlluar me sqepar dhe sende të tjera të forta si levë, shtetasin Kostandin Xhallo.
Ky i fundit kishte vetëm pak ditë që kishte ardhur në qytetin e tij të lindjes, pasi jeton dhe punon në Angli, duke shërbyer si bodigardi i mesfushorit të Arsenalit, Mesut Ozil.
Xhallo është sulmuar nga babë e bir, për shkak të një konflikti të disa minutave të mëparshme, ku shkak i sherit ka qënë zënia e rrugës me makinë,ku banon Klement Ndina në Përmet.
Xhallo, është qëlluar gati 6 herë me sqepar nga Justin Ndina, i cili rezulton të jetë djali i kancelares së Gjykatës së Përmetit, Oriana Dervishi.
Si pasojë e goditjes me sqepar dhe leva, Xhallo është shembur në bulevardin e Përmetit pa ndjenja, ndërkohë me helikopter të ushtrisë është transportuar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku vijon të marë mjekim intesiv.
Por pavarësisht dëmtive të shkaktuara në dëm të Xhallos, policia e Përmetit mundi të lokalizojë dhe arrestojë vetëm Klement Ndinën, ndërsa djalin e tij Justinin e ka shpallur në kërkim policor.
Klement Ndina, doli para gjykatës së Përmetit, ku ndryshe sa kërkoi prokurori i çështjes masën e “arrestit në burg”, kryegjyqtarja Yrfete Shkreli, caktoi masën e “arrestit në shtëpi” për Ndinën.
Tashmë prokuroria ka Apeluar këtë vendim, duke kërkuar mbajtjen në burg të këtij personazhi, që e konsideron veten si i “forti” i Përmetit.
Nga ana tjetër prokuroria gjatë këtyre ditëve do çojë në gjykatë dhe një kërkesë të dytë, për caktimin e masës së “arrestit në burg” për Justin Ndinën, djalin e kryekancelares që është shpallur në kërkim policor.
Gjykata liroi të “fortin” e Përmetit,goditi me sqepar bodygardin e Ozilit,apelohet vendimi, kërkohet mbyllja në burg e burrit të kancelares

