Site icon

“Gjyqi i McGonigal dhe pagesat për të, mbajnë erë të keqe”- Themeluesi i ‘Illyria’: Përfshirja e Ramës i bën dëm imazhit të Shqipërisë, SPAK të tregojë se është i pavarur

Në një kohë kur autoritetet amerikane pritet të nisin gjyqin ndaj ish-eprorit të kundërzbulimit në Zyrën e FBI-së, në New York, Charles McGonigal dhe përfshirja e kryeministrit Edi Rama, këshilltarëve apo të njohurve të tij në skema pagesash të paligjshme, ka cënuar jo pak imazhin e Shqipërisë.

Në një artikull të tij për skandalin “McGonigal, Harry Bajraktari, themelues dhe ish-botuesi i gazetës “Illyria”, thekson se Shqipëria po goditet fort për shkak të korrupsionit përpara opinionit amerikan, në një kohë kur vendi ka nevojë për reklamë të mirë, për investime nga jashtë për përkrahje për çështjen e Kosovës e të tjera.

Sipas tij, procesi gjyqësor për ish-zyrtarin e lartë të FBI, tregon se sistemi i drejtësisë në SHBA funksionon, ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri.

Harry Bajraktari: “U krye një hetim ndaj një njeriu me shumë lidhje dhe gjykata do të vendosë nëse është fajtor. I takon tani drejtësisë shqiptare të qartësojë nga pikëpamja e ligjit shqiptar nëse zyrtarët dhe qytetarët e Shqipërisë janë përzierë në korrupsion dhe kanë shkelur ligjin.”

Sipas Bajraktarit, pagesat deri në 225,000 dollarë për ish zyrtarin e FBI-së nga miq të kryeministrit Rama, janë fakte që vijnë erë e keqe dhe që mund të vërë në diskutim raportet politike të Ramës me amerikën.

Harry Bajraktari: “SHBA ka investuar prej vitesh që të reformojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Tani është momenti që reforma të tregojë frytet e saj. Synimi ka qenë gjithmonë që njerëzit më të fuqishëm të mos jenë sipër ligjit. Nuk ka provë më të mirë për SPAK-un dhe Byronë e Hetimeve sesa ky rast korrupsioni që prek edhe sigurinë e Amerikës për të dëshmuar pavarësinë si rezultat i reformës. Kjo nuk është thirrje për ta futur në burg Edi Ramën, por thirrje që organet e drejtësisë të sigurohen që ligji shqiptat nuk është shkelur si u shkel ai amerikan”.

Teksa në paditë e ndaj McGonigal, shkruan ndër të tjera Bajraktari, citohen dy Personat A dhe B, një prej tyre këshilltar i kryeministrit, së paku autoritetet shqiptare do të duhej të nisnin, qoftë nje hetim formal, për të ditur nëse nga ana shqiptare nuk ka shkelje ligji,

Harry Bajraktari: “Askush nuk duhet të presë që Amerika të vrapojë mbas shkelësve të ligjit tonë. Ajo ka investuar që Shqipëria të jetë vetë e zonja të ndëshkojë korrupsionin dhe krimin në vend. Nëse nuk është ky rasti për të vepruar atëhere kur është? Opozita shqiptare tani dyshon se edhe shpallja “non-grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha është ndikuar nga niveli i korruptimit në nivele të tilla të larta apo se hetimi i lobimit nga Partia Demokratike ka qenë i motivuar politikisht. Si mund të ekzistojë besimi pa hetime që zbulojnë natyrën e plotë të pjesëmarrjes shqiptare në këtë histori? Për më tepër, kjo nuk është hera e parë që shohim Edi Ramën, në një situatë të tillë.”

Heshtjes së diplomates amerikane në Tiranë, Yuri Kim, Bajraktari i përgjigjet me premtimin, që shpesh ambasadorja e citonte në daljet e saj publike.

Harry Bajraktari: “Tani është rasti për ta provuar këtë. Hetojeni Edi Ramën dhe sigurojuni që nuk ka shkelje ligji nga ana e Shqipërisë si po bën edhe SHBA nga ana e saj. Përndryshe populli do ta humbë besimin te institucionet ende pa mbaruar mirë reforma e drejtësisë.”

Exit mobile version