Historia e vjetër mes KF Tiranës dhe kompanisë “International Trade” më në fund zgjidhet. Mes bardhebluve dhe kompanisë është arritur një marrëveshje dhe prej disa javësh, shoqëria ka liruar aksionet e KF Tiranës, duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes më të nxehtë të të paktën 15 viteve të fundit. Pas gjyqesh, bllokimesh, e shumë çështjesh të tjera, më në fund pronarët e kompanisë kanë rënë dakord që Tirana të lirohet nga barra e bllokimit.
Shoqëria përmbarimore “Enforcement group sh.p.k.”, ka urdhëruar heqjen e sekuestros, pasi është gjetur një marrëveshje mes kreditorëve dhe debitorëve. Kompania “International Trade” ka pronarë Alban Seferin dhe Refik Halilin. Saktësisht bëhet fjalë për gjyqin që klubi ka humbur me të ndjerin Metush Seferi, ish-presidenti i Tiranës. Gjithsesi, në kompaninë që ka fituar gjyqin, aksioner me 50 për qind të aksioneve është presidenti aktual i Tiranës, Refik Halili.
HISTORIA – Gjyqi mes familjes Seferi dhe klubit të Tiranës e ka zanafillën shumë vite më parë, në kohën kur asokohe Metush Seferi ishte president i skuadrës bardheblu (më saktësisht nga viti 1993 e deri më 1998). Klubi dhe presidenti i Tiranës kanë firmosur një kontratë, në mënyrë që të ardhurat në atë kohë të ndaheshin në mënyrë të barabartë, pra 50% klubi, po aq edhe presidenti, post që mbahej nga Seferi.
Pas afrimit në krye të klubit si president në 1998-1999 të Lutfi Nurit dhe më pas të Metvali El Sajed (1999- 2003), Seferi kërkoi kthimin e shumës së parave që kishte investuar përtej kontratës së dakordësuar me Bashkinë e Tiranës për skuadrën bardheblu. Kësisoj, në emër të kompanisë që ai drejton edhe aktualisht, “International Trade sh.p.k.”, Seferi e çoi çështjen në gjyq, duke kërkuar kthim të parave. Pas disa seancave gjyqësore, me vendim Nr.2972, datë 04/07/2002, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesë-padisë së ngritur nga Metush Seferi, duke u vendosur edhe detyrimet përkatëse.
