Krahas përvetësimit të kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, Helidon Gjikoka ka tentuar t’i marrë kushëririt të tij, Ilir Koka, edhe shtëpinë 100-vjeçare po në Dhërmi, ku jeton bashkë me vëllain.
Në janar 2019, Helidon Gjikoka ka finalizuar të gjithë operacionin kriminal sipas prokurorisë duke i përvetësuar Ilir Kokës kompleksin me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2 në Dhërmi.
Siç edhe e konfirmon ky dokument, në 27 shtator 2019, Helidon Gjikoka ka aplikuar në Kadastrën e Vlorës për kalimin e pronësisë dhe regjistrimin në emerin e tij të shtëpisë së Ilir Kokës, ndërtuar 100 vite më parë.
Përpjekjet e Helidon Gjikokës, sot në masën e sigurisë arrest shtëpie, për t’i marrë edhe shtëpinë Ilir Kokës, janë zbuluar rastësisht.
Një muaj më pas, në 31 tetor 2019, Androniqi Koka, kunata e Ilir Kokës, kishte aplikuar për të njëjtin objekt, për kalimin e pronësisë dhe regjistrimin e shtëpisë si pasuri. Ilir Koka jeton në shtëpi bashkë me vëllanë, i cili ka për bashkëshorte zonjën Androniqi.
Vetëm pas aplikimit të Androniqit, dy vëllezërit janë njohur me faktin se për t’u marrë shtëpinë kishte aplikuar edhe Helidon Gjikoka.
Në këto rrethana, Kadastra e Vlorës, ka vendosur pezullimin e procedurave për kalimin e pronësisë së shtëpisë në emrin e Helidon Gjikokës, deri në sqarimin e situatës.
Në rastin konkret, zyra e shtetit ka vepruar duke zbatuar ligjin, ndryshe nga rasti i kompleksit në Dhërmi, ku zyrtarët publikë u bënë pjesë e grabitjes së pasurisë së tjetrit nga Helidon Gjikoka.
Përfaqësuesit ligjor të Ilir Kokës kanë referuar rastin e tentativës së përvetësimit të pasurisë së paluqjtshme në Prokurorinë e Tiranës.
Organi i akuzës ka nisur hetimet, ku pritet të procedojë në raport me Helidon Gjikokën, i cili ka ende të hapur procesin e parë penal, për përvetësimin e kompleksit Ambël me letra false.
Gjykata e Lartë ka vendosur që Helidon Gjikoka të qëndrojë në arrest shtëpie, në pritje të gjykimit për dosjen e kompleksit Ambel.
Gjikoka u konstatua nga mediat disa ditë më parë se kishte thyer masën e sigurisë, teksa pinte kafe në lokalet e Vlorës.
Kur policia e arrestoi, u zbulua një tjetër skandal. Prokurori Albert Kuliçi nuk kishte zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë, për t’i komunikuar Gjikokës masën e sigurisë arrest me burg.
Kuliçi duhet ta kishte zbatuar vendimin që në 22 nëntor 2022, ndërsa Gjikoka u konstatua duke lëvizur i lirë në 12 janar 2023.
Ka dyshime të forta për bashkëpunim mes prokurorit Kuliçi dhe Gjikokës, pasi më parë Kuliçi ka hequr nga përgjegjësia penale 15 zyrtarë të Hipotekës së Vlorës pêr bashkëpunim me Helidon Gjikokës për grabitjen e kompleksit Ambel në Dhërmi, në pronësi të vëllezërve Koka.