Roberto Mançini u largua nga drejtimi i Italisë pak ditë më parë dhe në një intervistë, ai u shpreh se Gravina është fajtor për këtë, duke shtuar se presidenti i Federatës Italiane, nuk i ka kërkuar kurrë të qëndrojë, përkundrazi i ka larguar stafin.
Megjithatë, Gravina ka thyer heshtjen dhe ka vendosur të reagojë për fjalët e Mançinit. Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, Gravina shprehet se ka pasur marrëdhënie shumë të mirë me Mançninin dhe vetëm për këtë, trajneri duhet të fliste duke e parë në sy.
“Nuk dua të nxis polemika të tjera. Por këto ishin deklarata dëshpëruese, të papërshtatshme dhe ofenduese ndaj meje. Nuk e mohoj miqësinë me Roberton, i cili ka treguar gjithmonë stil. Shpresoj që ai të rishikojë pozicionin e tij. Asnjëherë nuk kam hyrë në fushë, nuk kam sugjeruar asnjë lojtar, nuk kam kërkuar formacion. Nuk i kam merituar fjalë të tilla.
Vazhdoj të pyes veten pse Mançini tha disa gjëra. Ai e di shumë mirë që realiteti është pikërisht e kundërta e asaj që ka thënë.
Roberto nuk më tha kurrë se donte të largohej. Për herë të parë kam dëgjuar për dorëheqjen e tij nga gruaja e tij, Silvia Fortini, e cila është avokate e tij. Një ditë më parë një email zyrtar erdhi në zyrat e Federatës së Futbollit. Duke marrë parasysh marrëdhëniet personale, unë do ta vlerësoja më shumë nëse Mançini do të kishte shprehur vullnetin e tij duke më parë në sy”, u shpreh Gravina.