Site icon

Heroi i portës, Martinez: Ia thashë Skalonit, i ndaloj unë!

“Nuk kam fjalë, dukej sikur kjo ndeshje nuk do të përfundonte kurrë. Kur shkuam 3-2 mendova se përfundoi, por jo… Na rrëmbyen një tjetër penallti dhe na dërguan te penalltitë, por unë e dija sesi do të përfundonte”.Janë këto fjalët e Emiliano Martinezit, portierit të Argjentinës dhe “gardianit” më të mirë të këtij Botërori. Njeriu që i dha garanci bardhekaltërve nga 11-metrat tregon se në momentin e goditjes së penalltive, ai i tha shokëve dhe trajnerit që të rrinin të qetë, pasi do t’i ndalonte ai francezët: “Ndoshta dikush tjetër kur pëson gol në sekondat e fundit, do të ishte demoralizuar, por unë jo, isha shumë i qetë. Përpara se të shkonim te penalltitë ia thashë trajnerit. Ishte në fatin tonë që të vuanim deri në fund, por rrini të qetë, të paktën 2 penallti do t’i ndal unë. Dhe fati donte që ashtu të ndodhte, pasi isha vërtet i qetë, e doja me çdo kusht këtë trofe për veten, për shokët e mi, për Argjentinën. Ishte një ndeshje e çmendur, por po aq të çmendur ishim edhe ne si grup. Jemi kampionë bote, jemi diçka që nuk arrihet lehtë nga askush, prandaj është normale që të vuash deri në fund, edhe pse ndoshta nuk e meritonim të gjithë këtë, duke parë se çfarë bëmë gjatë të gjithë takimit. E rëndësishme është që kampionët e botës jemi ne dhe jam krenar edhe për vlerësimin personal si portieri më i mirë i Kupës së Botës”, deklaroi Emiliano “Dibu” Martinez, i cili kujtojmë që aktivizohet në radhët e Aston Vilës.

Exit mobile version