Site icon

Historia nuk do të ketë efekt”, Lampard: S’do parkojmë autobusin, ekipi ka ndryshuar me kalimin e viteve

Çelsi i bën vizitë Realit sonte në mbrëmje në fortesën e tij “Bernabeu” me objektivin për të vijuar rrugëtimin në Champions.

Por me klubin londinez që ndodhet në një ndër periudhat më delikate në vitet e fundit. Jashtë garës për titullin në Premier, në vendin e 11-të në Angli dhe me afërsisht 400 milionë euro të shpërdoruara në dy dritaret e transferimeve, blutë sfidojnë kampionët në fuqi. Është sezoni i tretë radhazi që përballen me Realin, por për herë të parë vijnë në rolin e sfidantit.

Për të tejkaluar krizën, Çelsi ia ka besuar stolin një legjende të klubit si Frenk Lampard i thirrur “nën armë” deri në mbylljen e sezonit. Ai është trajneri i tretë i Çelsit, me bosin amerikan Tod Bohli që ka shkarkuar me radhë Tomas Tuhel e Graham Poter, që i kanë kushtuar miliona të shumtë. Për më optimistët te Çelsi, situata aktuale i referohet asaj që përjetuan në vitin 2012 dhe po ashtu në vitin 2021, kur pati një ndryshim trajneri në mesin e sezonit dhe skuadra u shpall kampione e Europës pa qenë mes pretendentëve.

Roberto di Mateo arriti të ngrejë kupën me veshë të mëdhenj pasi zëvendësoi Vijash Boash kundër të gjitha gjasave pasi mundi Barçën e Guardiolas në gjysmëfinale dhe Bajern në finalen e zhvilluar në Mynih dhe Tuhel përsëriti suksesin pasi zëvendësoi Lampardin duke eliminuar Madridin në gjysmëfinale dhe Sitin në finale. Por 44-vjeçari shmangu krahasimin me paraardhësit e tij, veçanërisht në rastin e Di Mateos, kur ai dhe Terri ishin kapitenë.

“E kuptoj idenë romantike që vjen nga jashtë, por nuk mendoj se historia do të ketë një efekt të madh. Duhet të fokusohemi te sfida e së mërkurës. Të gjithë do të donim ta përsërisnim, por duhet të punojmë për të dhe është e vështirë ta krahasosh me vitet e kaluara. Ne vendosëm autobusin në ‘Camp Nou’ dhe ia dolëm. Nuk jemi më në të njëjtën situatë. Kishte shumë dëshirë dhe talent në atë skuadër”, tha tekniku blu.

Exit mobile version