Presidenti i ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, ka thyer heshtjen që pas humbjes së zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Ai falënderoi votuesit që kishin votuar për të dhe nuk e kundërshtoi as rezultatin, siç dyshohej se do të ndodhte.
Shefi i tij i shtabit, Ciro Nogueira, pas deklaratës së shkurtër të Bolsonaro, tha se procesi i tranzicionit të pushtetit do të fillonte.
Edhe pse Bolsonaro nuk e pranoi humbjen me fjalët e tij, Gjykata e Lartë e Brazilit lëshoi një deklaratë menjëherë pas fjalimit të tij duke thënë se “me autorizimin e kalimit të pushtetit, ai kishte njohur rezultatin e zgjedhjeve”.
Presidenti deklaronte në të kaluarën se “vetëm Zoti mund të më largojë nga detyra”. Para zgjedhjeve, ai kishte hedhur vazhdimisht dyshime të pabaza mbi sistemin e votimit.
Kur më në fund u shfaq në publik, 44 orë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, deklarata e Bolsonaro zgjati vetëm dy minuta dhe ai nuk mori asnjë pyetje nga gazetarët e mbledhur.
Në mesazhin drejtuar mbështetësve të tij, Bolsonaro tha se “ëndrrat tona vazhdojnë të gjalla si kurrë”.
Presidenti përsëriti vlerat për të cilat thotë se ai dhe partia e tij përfaqësojnë – “Zoti, atdheu, familja dhe liria” – dhe këmbënguli se do të vazhdojë të përpiqet për “rendin dhe përparimin”, fjalët e ngulitura në flamurin e Brazilit.
Ai nuk e përmendi Luiz Inácio Lula da Silva, rivalin që e mundi atë të dielën. Në thyerje të traditës, Bolsonaro ende nuk e ka thirrur njeriun që e mundi atë në zgjedhje.
Mbështetësit e fortë të Bolsonaro, të cilët refuzojnë të pranojnë se humbjen e tij, kanë ngritur qindra postblloqe në të gjitha shtetet, përveç dy prej tyre.
Në fjalimin e tij, Bolsonaro iu referua atyre si “lëvizjet aktuale popullore” dhe tha se ishin “frut i indinjatës dhe ndjenjës së padrejtësisë për mënyrën sesi u zhvillua procesi zgjedhor”.
Ai shtoi se “demostratat paqësore” do të ishin gjithmonë të mirëseardhura, por se “metodat tona nuk mund të jenë të njëjta me ato të përdorura nga e majta, e cila gjithmonë dëmtoi popullsinë.”
Kreu i Gjykatës së Lartë të Brazilit, Alexandre de Moraes, tha se bllokimet e rrugëve përbënin “një rrezik për sigurinë kombëtare” dhe urdhëroi që ato të pastroheshin.
Këto bllokada po pengojnë në furizimin me ushqime në vend.
Ato filluan menjëherë pasi autoritetet zgjedhore të Brazilit njoftuan një fitore të ngushtë për Lula da Silva në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale.
Me të gjitha votat e numëruara, Lula kishte 50.9% të votave të vlefshme kundër 49.1% të Bolsonaro.