Juventusi kërkon përforcime në janar për t’i vënë në dispozicion trajnerit Alegri lojtarë që të mund të rrisin nivelin e skuadrës dhe alternativat në një sezon ku luhet për titullin. Sytë e bardhezinjve janë drejtuar nga Anglia, ku është piketuar sulmuesi anësor, Xhejdën Sanço.
Sipas ekspertit të merkatos, Fabricio Romano, lojtari i Mançester Junajtid është një emër që u pëlqen dhe ata kanë kërkuar informacione. Ai ka shpjeguar se Juventusi është gati ta marrë në huazim fillimisht Sançon, pasi i intereson edhe që një pjesë të rrogës së tij ta paguajnë “djajtë e kuq”.
Por edhe pse Junajtid nuk duket shumë i lumtur nga ky fakt, duke parë interesimin e Juves për Sançon, edhe vetë Xhejdën duket se ka aprovuar këtë mundësi dhe në orët e fundit i është vetëofruar drejtuesve bardhezi, duke shprehur gatishmërinë e për një ulje të pagës së tij që përfiton në Mançester.

