Site icon

“I thashë ‘jo, ndal’! Ai thjesht vazhdoi”- Skandali në Parlamentin e Australisë, punonjësja akuzon kolegun se e përdhunoi në zyrën e ministrit

Një ish-punonjëse në Parlamentin e Australisë ka pretenduar se është përdhunuar brenda një zyre në institucionin qeveritar.

Bruce Lehrmann akuzohet se abuzoi seksualisht Brittany Higgins në mars 2019 ndërsa ajo ishte e dehur dhe në gjumë në zyrën e një ministri të qeverisë.

27 vjeçari ka deklaruar se është i pafajshëm dhe mohon akuzat se kanë kryer marrëdhënie seksuale.

Gjyqi në një gjykatë në Canberra filloi këtë javë dhe pritet që të dëshmojnë disa zyrtarë të profilit të lartë.

Higgins tha në seancë se kishte më pak se një muaj që e njihte Lehrmann përpara përdhunimit të pretenduar më 23 mars, dhe se në javët e mëparshme, ai ishte përpjekur ta puthte.

Higgins pretendon se ajo dhe Lehrmann kishin rënë dakord të udhëtonin së bashku për në shtëpi pas një nate jashtë me kolegët, por u ndalën në Shtëpinë e Parlamentit.

Ajo pretendoi se ishte shumë e dehur dhe i kishte rënë të fikët në një divan. Higgins i tha policisë se kur u zgjua pa që Lehrmann po bënte seks me të. Duke qarë, ajo i tha “ndal” dhe “jo”.

“Ai thjesht vazhdoi”, deklaroi ajo në një intervistë në vitin 2021, teksa shtoi: “Kur mbaroi, Lehrmann u largua shpejt nga zyra. Kishte një moment të çuditshëm kontakti me sy… Unë nuk i thashë asgjë.”

Pasi u zgjua sërish disa orë më vonë, me fustanin e ngritur rreth belit, Higgins i tha policisë se shkoi në shtëpi dhe qau gjatë gjithë fundjavës.

Javën e ardhshme, ajo i tha një punonjësi të lartë se ishte sulmuar.

“Nuk po e besoja që kishte ndodhur”, tha ajo në dëshminë për policinë. Në një dëshmi tjetër në polici, Higgins tha se ishte e shqetësuar për t’u treguar eprorëve të saj për atë që kishte ndodhur, sepse kishte frikë se mos humbiste punën e saj.

“Pabarazia mes meje dhe tij ishte e madhe”, tha ajo.

Higgins fillimisht e raportoi incidentin në polici në prill 2019, por e tërhoqi ankesën e saj sepse kishte frikë se do të ndërhynte në punën e saj gjatë një fushate zgjedhore.

Pothuajse dy vjet më vonë, në shkurt 2021, ajo i kërkoi policisë të rihapte çështjen pas intervistave me dy gazetarë.

Gjyqi pritet të zgjasë deri në gjashtë javë.

Exit mobile version