Gjuetia ndaj finales së Kupës së Italisë nis mbrëmjen e sotme, në orën 21:00, në “Allianz Stadium”, gjysmëfinalja e vajtjes (sfida e kthimit më 26 prill, në “San Siro”).Masimiliano Alegri, edhe pse i mundi përpara pauzës së kombëtares në Milano, 0-1, e di mirë se kjo e mbrëmjes së sotme do të jetë një tjetër histori përballë Interit dhe fakti që skuadra e Simone Inzagit ka hyrë në një krizë të thellë, me 4 humbje në pesë ndeshjet e fundit në kampionat, nuk e gëzon, përkundrazi:
“Në këtë moment, rreziku më i madh për ne nuk është rivali që kemi përballë, por gjithë ky shi komplimentash që po na bie mbi kokë. Në pozitat tona, ekuilibri duhet të jetë kryefjala, sidomos në ‘Kontinasa’. E urrej kur euforia na merr përpara, pasi është shumë e lehtë që menjëherë më pas të biesh në depresion të thellë. Asnjë rezultat nuk duhet të na spostojë nga niveli psikologjik që kemi pasur deri më sot, sepse JuveInter është gjithmonë një sfidë që nuk pranon favoritë, nuk gazohet në momentet specifike të skuadrave…
Gjithçka zerohet, madje do të kisha preferuar që të gjeja përballë një Inter fitues kundër Fiorentinës. Kush mendon se për ne do të jetë më e lehtë meqë rivalët tanë nuk po kalojnë një moment të mirë vetëm prej rezultateve, pasi lojërat e tyre kanë qenë pozitive, atëherë gabohet.
Sigurisht, ne duam që të shtrojmë që në sfidën e parë rrugën e sigurt drejt finales, por duke parë momentin e Interit duhet të jemi dyfish më të kujdesshëm dhe dyfish më cinikë, të saktë dhe të përqendruar”.
Ndërkohë, nisur nga pozitat që ndodhet kolegu dhe rivali i tij Simone Inzagi, Alegri e merr në mbrojtje:
“Është e lehtë dhe fatkeqësisht futbolli dënon trajnerin më shumë se kushdo tjetër, por jo gjithmonë diçka e tillë është e drejtë. Pa dyshim loja e pranon këtë, por të mos harrojmë se Simone jo vetëm ka bërë dhe po bën një punë fantastike tek Interi, duke u kualifikuar për në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe është në gjysmëfinalet e Kupës.
Pastaj ndodh që në një moment të sezonit të ngecë diçka, por kjo nuk do të thotë se ai nuk do të dijë të dalë nga kjo situatë, falë edhe kampionëve që ka në dispozicion si Lukaku, Xheko e Lautaro dhe po flas vetëm për sulmuesit…
Prandaj, e ritheksoj, Juve-Inter është gjithmonë sfida brenda sfidës, në të cilën momentet pikante, episodet e diskutueshme dhe detajet që bëjnë diferencën në fund nuk mungojnë kurrë. Ndoshta episode do të ketë edhe këtë herë, por unë mendoj se në fushë do të jetë edhe një arbitër i shkëlqyer si Masa, që do të dijë të bëjë punën e tij. Njësoj siç bëri edhe Kifi fundja, në ndeshjet e fundit në kampionat mes nesh”, përfundoi Alegri.